Në kuadër të forumit ‘FFK 2026’ po diskutohen mundësitë e rritjes së investimeve në sektorin industrial
Janë duke vazhduar diskutimet në kuadër të “Kosova Finance Forum 2026”. Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në panelin së bashku me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, drejtoren e sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, kryetarin e Bordit të FKGK, Besnik Berisha, kryetarin e OEK-ut, Lulzim Rafuna dhe kryetarin e Strugës, Mehdi Qyra, nën moderimin e Visar Peranit nga IFC, diskutuam për mobilizimin e financimit për industrializimin e ekonomisë.
Ajo ka thënë se paneli solli në një tryezë të përbashkët përfaqësues të institucioneve, organizatave rajonale dhe sektorit privat, me të cilët ndanë perspektivat mbi rritjen e investimeve në industri, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e inovacionit.
“U theksua se pa një qasje të koordinuar ndërmjet politikave publike dhe kapitalit privat, transformimi industrial mbetet i kufizuar. Në këtë sesion u trajtua zhvillimi ekonomik dhe financimi i rritjes industriale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në ndërtimin e infrastrukturës moderne industriale, përfshirë zonat ekonomike, parqet industriale dhe logjistikën mbështetëse, si parakusht për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka bërë me dije se gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e instrumenteve inovative financiare, partneriteteve publiko-private dhe rolit të institucioneve financiare ndërkombëtare në uljen e rrezikut për investitorët dhe rritjen e qasjes në kapital për ndërmarrjet prodhuese.
“Vetëm përmes një kombinimi të investimeve në infrastrukturë, kapital njerëzor dhe teknologji, mund të përshpejtohet industrializimi dhe të rritet konkurrueshmëria e ekonomisë sonë”, ka deklaruar Kusari-Lila.



