EUROPOL shënjestron propagandën online të Gardës Revolucionare të Iranit

19 maj 2026 | 16:37

Agjencia për zbatim të ligjit e Bashkimit Evropian ka shënjestruar propagandën online të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në një operacion të koordinuar kundër përmbajtjes terroriste online. IRGC-ja është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, dhe vende të tjera, përfshirë edhe Kosova.

Agjencia evropiane policore, EUROPOL, njoftoi se në këtë operacion janë shënjestruar 14 200 postime të lidhura me Gardën Revolucionare.

Aksioni u përqendrua në identifikimin dhe pengimin e pranisë online të grupit, që “përdorej për të përhapur propagandë, për të rekrutuar mbështetës dhe për të mbledhur fonde”, u tha në njoftim.

EUROPOL tha se 19 shtete bashkuan forcat për të identifikuar dhe ndërprerë përmbajtjen e lidhur me Gardën iraniane në internet: Austria, Belgjika, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga 13 shkurti deri më 28 prill autoritetet nga këto shtete punuan së bashku, nën koordinimin e EUROPOL-it, duke mbledhur të dhëna, duke verifikuar caqet dhe duke verifikuar platforma online. Sipas agjencisë së BE-së, përmbajtja u shpërnda në platformat kryesore të medieve sociale si dhe në shërbime të transmetimit online, në faqe të blogjeve e uebfaqe të pavarura.

Përmbajtja propaganduese, sipas EURPOL-it, u identifikua në disa gjuhë, përfshirë arabisht, anglisht, frëngjisht, persisht e spanjisht. Përmbajtja ishte në formate të ndryshme, sikurse fjalime që kishin narrativë fetare të martizimit të ndërthurura me mesazhe politike e deri te video të gjeneruara me inteligjencë artificiale që lavdëronin Gardën Revolucionare Islamike dhe bënin thirrje për hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.

Khameni u vra gjatë sulmeve ajrore në nisje të luftës së ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.

EUROPOL tha se ndërlidhja e faqeve të internetit të lidhura me Gardën, që operonin në shumë gjuhë, ofron informacione të rëndësishme se si funksionon ky grup online.

Pasi u identifikuan mbi 14 000 postime të lidhura me Gardën – e cila në X ka 150 000 ndjekës – llogaria e Gardës në këtë platformë u bllokua nga BE-ja, ndërkaq linqe të tjera, të lidhura me disa platforma ose janë hequr ose po hetohen, tha EUROPOL.

Ky operacion gjeti se Garda iraniane vazhdon ta zgjerojë praninë e saj digjitale. Hetuesit gjetën se ajo ka rrjete online në shumë vende, duke nisur nga Rusia e ShBA-ja, që i mundësojnë të ketë prani në internet.

Autoritetet, po ashtu, identifikuan transaksione që janë kryer duke përdorur kriptovaluta me qëllim amplifikimin e operacione online, një taktikë që, sipas EUROPOL-it, është e dizajnuar për t’i shmangur kontrollet tradicionale financuese.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas Tuttosport, Juventusi e ka vendosur mesfushorin ofensiv të Real Madridit,…