MABCO garanton vazhdimësinë e projektit, Emin Pacolli: Aeroporti i Vlorës ka siguruar operator të ri nga Dublini

03 qershor 2026 | 17:00

Pas tërheqjes nga projekti i Aeroportit të Vlorës të kompanisë gjermane Munich Airport International GmbH, e lidhur me menaxhimin e Aeroportit të Mynihut, si dhe mbylljes së degës së saj në Shqipëri, ka reaguar drejtuesi i MABCO-s, Emin Pacolli. Në reagimin e tij, Pacolli ka theksuar se MABCO dhe pronari i saj, Behgjet Pacolli, në asnjë moment nuk e kanë lënë kontratën e koncesionit pa një operator të garantuar.

“Sa i përket partnerëve gjermanë, është e vërtetë se ata u tërhoqën nga projekti në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri juridike dhe vendime që, sipas vlerësimit tonë, nuk ishin të mbështetura në argumente ligjore dhe faktike. Megjithatë, z. Behgjet Pacolli dhe kompania e tij, MABCO, në asnjë moment nuk e kanë lënë kontratën e koncesionit pa një operator të garantuar. Përkundrazi, pavarësisht sfidave të krijuara nga situata, është punuar vazhdimisht për të siguruar vazhdimësinë e projektit dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe institucioneve shqiptare. Falë reputacionit ndërkombëtar, besueshmërisë dhe angazhimit të z. Pacolli, është arritur të sigurohet mbështetja e një operatori me përvojë dhe standarde të larta ndërkombëtare. Sapo të rikthehet normaliteti institucional dhe të garantohet siguria juridike, Aeroporti i Vlorës do të vazhdojë procesin e certifikimit dhe më pas operimin e plotë. Operatori i ri i përzgjedhur është i lidhur me sektorin e aviacionit të Aeroportit të Dublinit, një emër i njohur dhe i respektuar ndërkombëtarisht për profesionalizmin dhe standardet e larta të operimit. MABCO mbetet e përkushtuar për të garantuar që as qytetarët dhe as institucionet shqiptare të mos përballen me pasoja negative nga këto zhvillime. Ajo që kërkojmë është vetëm siguri juridike, trajtim i drejtë dhe respektim i shtetit ligjor. Qëndroni të qetë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, transparencë dhe përkushtim për realizimin e këtij projekti me rëndësi kombëtare”, ka deklaruar Emin Pacolli në emër të MABCO-s.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, vlerësoi sot fillimin e një “epoke…