Muja në Istog pas dëmeve nga breshëri: Do të propozojmë masa për ndihmë ndaj bujqve
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar sot fermerët e Istogut të prekur nga breshëri, duke premtuar mbështetje për tejkalimin e dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore.
Gjatë vizitës së përbashkët me kryetarin e Istogut, Muja është shprehur se fillimisht duhet të përfundojnë procedurat për vlerësimin e dëmeve nga komisioni komunal, në mënyrë që raporti të dërgohet për trajtim në institucionet përgjegjëse.
Ai ka bërë me dije se Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve është themeluar nga komuna dhe ka kërkuar që procesi i evidentimit të dëmeve të përfundojë sa më shpejt.
“Raporti, pasi të kompletohet, duhet t’i dërgohet Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, e cila, në bazë të Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore, e adreson më pas te qeverisja qendrore”, ka deklaruar Muja.
Ministri në detyrë i Bujqësisë ka thënë se, bashkë me zyrtarë të ministrisë, ka parë nga afër gjendjen në terren dhe se nga java e ardhshme do të propozohen masat konkrete për t’u dalë në ndihmë fermerëve të prekur.
Ai gjithashtu i ka hedhur poshtë pretendimet se fermerët nuk janë kompensuar për dëmet nga fatkeqësitë natyrore, duke përmendur raste të kompensimeve në vitet e kaluara.
Istogu është një nga komunat më të prekura nga breshëri i ditëve të fundit, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore.



