Gjurmë të Paleolitit në Verboc të Drenasit, studiuesit dyshojnë për dëshmi deri në 70 mijë vjet të vjetra

08 shtator 2026 | 08:44

Një lokalitet në fshatin Verboc të Drenasit mund të zbulojë gjurmë të rëndësishme të historisë së hershme njerëzore, pasi aty po zhvillohen hulumtime arkeologjike për periudhën e Paleolitit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me nënkryetarin Arben Shala, kanë vizituar lokalitetin ku po zhvillohen kërkimet nga studiues të Universitetit të Tübingenit në Gjermani, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Në ekipin hulumtues janë edhe arkeologu nga Drenasi, Sami Haziraj, si dhe Prof. Dr. Harald Floss, profesor dhe studiues i njohur në fushën e Paleolitit. Nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, punimet në terren udhëhiqen nga arkeologu Luan Gashi.

Gjurmimet e para në këtë lokalitet kishin nisur në vitin 2021, ndërsa hulumtimet e vazhdueshme kanë nxjerrë në pah potencialin arkeologjik të Verbocit.

Sipas Komunës së Drenasit, studiuesit pretendojnë se kanë identifikuar gjurmë që mund t’i përkasin periudhës së Paleolitit dhe që, sipas vlerësimeve fillestare, mund të jenë 25 mijë deri në 70 mijë vjet të vjetra.

Megjithatë, bëhet fjalë për vlerësime paraprake, ndërsa mosha dhe rëndësia e saktë e gjetjeve pritet të përcaktohen përmes analizave dhe studimeve të mëtejshme shkencore.

Lladrovci e ka cilësuar hulumtimin si një zhvillim me rëndësi për Drenasin dhe Kosovën.

“Është jashtëzakonisht interesante të shohësh se në tokën e Drenasit mund të ruhen gjurmë që na çojnë dhjetëra mijëra vite prapa në historinë e njerëzimit”, ka deklaruar ai.

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë punën shkencore dhe institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e këtij lokaliteti.

Rezultatet përfundimtare të hulumtimeve pritet të japin më shumë të dhëna për moshën dhe rëndësinë arkeologjike të Verbocit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 73 civilë janë plagosur pas sulmeve nga grupi…