FORUMI SHQIPTAR: Do të votojmë për shkarkimin e Mandiçit

08 shtator 2026 | 09:53

Në mbledhjen e djeshme, Kryesia e Forumit Shqiptar vendosi unanimisht që deputetët e partisë së tyre të votojnë për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç. Ky vendim, siç theksojnë ata, buron nga një qëndrim i qartë parimor se glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar ligjërisht nuk mund të ketë vend në Malin e Zi evropian dhe se çështje të tilla nuk mund të jenë objekt i llogaritjeve dhe kompromiseve politike.

“Presidenca vlerësoi se kjo çështje nuk është thjesht një votë pro apo kundër një zyrtari, e as nuk përfaqëson mbështetje për propozuesin e nismës. Çështja thelbësore është nëse Mali i Zi e pranon glorifikimin e kriminelëve të luftës apo qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane. Ratko Mlladiq është një kriminel lufte, i dënuar ligjërisht para një gjykate ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta glorifikuar atë është e papranueshme, antievropiane dhe në kundërshtim me të ardhmen e zgjedhur nga qytetarët e Malit të Zi. Prandaj, kreu i Grupit Parlamentar të Forumit Shqiptar do ta nënshkruajë nismën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ndërsa anëtarët e Forumit Shqiptar do të votojnë për shkarkimin e tij. Vendimi u mor në mënyrë unanime”, thuhet në njoftim.

Ata theksojnë se ky vendim nuk përfaqëson mbështetje për iniciuesin e nismës.

“Kjo buron nga parimet dhe vlerat e Forumit Shqiptar, të cilat nuk mund të jenë objekt i llogaritjeve politike ditore apo kompromiseve politike. Pas votimit mbi nismën për shkarkimin e Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, Kryesia do të vlerësojë marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare dhe do të marrë vendime të mëtejshme me përgjegjësi, duke marrë parasysh interesat e shqiptarëve, stabilitetin politik dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi”, deklarojnë ata.

Sot, Kryesia vlerësoi se marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare nuk janë gjithmonë në nivelin e partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët të nevojshme, si dhe se qëndrimi i një pjese të partive të shumicës ndaj Forumit Shqiptar dhe kërkesave legjitime të shqiptarëve duhet të përmirësohet ndjeshëm.

“Partneriteti nënkupton respekt të ndërsjellë, dialog të sinqertë dhe zbatim të asaj që është rënë dakord. Forumi Shqiptar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin politik, funksionimin e institucioneve dhe integrimin evropian, ndaj presim që të gjithë partnerët ta respektojnë këtë kontribut”, thuhet në njoftim.

Përkundër pakënaqësisë, ata thonë se do të vazhdojnë të veprojnë me përgjegjësi ndaj interesave të qytetarëve dhe synimit strategjik që Mali i Zi të bëhet anëtari i radhës i Bashkimit Evropian.

“Përfaqësuesit tanë në Qeveri kontribuan drejtpërdrejt në mbylljen e pothuajse gjysmës së kapitujve të mbyllur gjatë mandatit të Qeverisë së 44-t,” thanë ata.

Sot, kryesia e Forumit Shqiptar caktoi datën e Kongresit, i cili do të mbahet më 31 tetor 2026 dhe do të shënojë një hap të ri në bashkimin politik, forcimin dhe organizimin e shqiptarëve në Mal të Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është…