“Mandatet e deputetëve janë djegur”- Arifi akuzon VV-në për shkelje të Kushtetutës

08 shtator 2026 | 22:37

Avni Arifi nga Aleanca ka deklaruar se, sipas vlerësimit të kësaj partie, mandatet e deputetëve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës janë “djegur”, për shkak të shkeljeve të pretenduara të Kushtetutës gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Arifi ka thënë se seanca konstituive është dashur të mbahej brenda afateve të përcaktuara kushtetuese dhe se, sipas tij, mosrespektimi i këtyre afateve përbën shkelje të Kushtetutës.

“Qytetari i Kosovës duhet me e ditë që mandatet e deputetëve janë djegur. Kushtetuta nuk është diçka që e përdor kur të vyn”, deklaroi Arifi.

Sipas tij, shkelja e parë ka ndodhur për shkak të mosmbajtjes së seancës brenda afatit të përcaktuar, ndërsa si shkelje të dytë ai e konsideroi shtyrjen e mëtejshme të seancës.

Arifi tha se pikërisht ky qëndrim ka ndikuar në vendimin e Aleancës për të mos marrë pjesë në seancën e ardhshme konstituive.

“Me kalu nesër sikur nuk ndodh asgjë, më duket që do të ishte një mesazh shumë i gabuar. Aleanca, me fuqinë parlamentare që e ka, është një akt i shprehjes së konsideratës për moslegjitimimin e vendimeve të tilla”, tha ai.

Megjithatë, Arifi theksoi se mungesa e deputetëve të Aleancës nuk pritet ta bllokojë zhvillimin e seancës, duke e cilësuar vendimin si një veprim simbolik dhe politik.

I pyetur se çfarë veprimesh do të ndërmerrte Aleanca nëse do të kishte më shumë fuqi parlamentare, Arifi tha se reagimi do të ishte më i fuqishëm.

“Nuk mund të flas në situatë hipotetike, por gjithsesi që sikur Aleanca ta kishte fuqinë më të madhe parlamentare, edhe veprimet natyrisht që do të ishin shumë më të fuqishme”, deklaroi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka akuzuar kryeministrin në detyrë,…