AKB-ja në Parlamentin Evropian: Sektori privat i Kosovës duhet të përfitojë më shumë nga Plani i Rritjes
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është pritur në Parlamentin Evropian, ku temë kryesore e diskutimit ishte Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe përfshirja e sektorit privat të Kosovës në fondet dhe mundësitë financiare që ofron Bashkimi Evropian.
Në këtë takim u theksua rëndësia që bizneset kosovare të kenë qasje më të drejtpërdrejtë dhe më të lehtë në fondet evropiane, pasi sektori privat është një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike, punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës.
AKB-ja vlerëson se fondet e Planit të Rritjes nuk duhet të mbeten vetëm në projekte institucionale, por duhet të krijojnë mundësi konkrete për kompanitë private, përmes investimeve, kredive të favorshme, garancive financiare, inovacionit, digjitalizimit, energjisë së pastër, prodhimit dhe rritjes së eksporteve.
Sipas AKB-së, Plani i Rritjes është një mundësi historike për Kosovën, por kjo mundësi nuk duhet të kalojë pa biznesin. Sektori privat duhet të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e përfitimit nga fondet evropiane. “Ne nuk kërkojmë privilegje, por kushte të barabarta, transparencë dhe mundësi reale për kompanitë kosovare”, ka thënë kryetari i AKB-së, Agim Shahini, duke theksuar se përfshirja e sektorit privat duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të politikave ekonomike të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.
Sipas AKB-së, kompanitë kosovare duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga këto instrumente për të rritur kapacitetet prodhuese, për të investuar në teknologji, për të hapur vende të reja pune dhe për të hyrë në zinxhirët evropianë të furnizimit. “Nëse synojmë rritje ekonomike, atëherë duhet të investojmë te biznesi. Nëse synojmë integrim evropian, atëherë biznesi kosovar duhet të jetë pjesë e tregut dhe e fondeve evropiane. Plani i Rritjes duhet të ndihet në çdo kompani që ka potencial për të prodhuar, eksportuar dhe punësuar”, u shpreh Shahini.
AKB-ja kërkon nga institucionet e Kosovës dhe partnerët evropianë që të ndërtojnë mekanizma të qartë, transparentë dhe të qasshëm për sektorin privat, në mënyrë që fondet evropiane të mos shfrytëzohen vetëm nga institucionet publike, por të ndikojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e ekonomisë së Kosovës.
Shahini ka thënë se AKB-ja do të vazhdojë të kërkojë që biznesi kosovar të jetë partner në procesin e integrimit evropian dhe përfitues aktiv i mundësive që sjell Plani i Rritjes.
Mesazhi i AKB-së nga Brukseli ishte se pa sektor privat të fuqishëm nuk ka rritje ekonomike, ndërsa pa përfshirjen e biznesit nuk ka integrim të plotë ekonomik evropian.



