Deda: Kosova po i afrohet shtetit të dështuar me shpejtësi marramendëse
Ish-deputeti Ilir Deda, ka reaguar për situatën politike në Kosovë, duke paralajmëruar për rrezikun e, siç e ka quajtur ai, dështimit politik dhe institucional të shtetit.
Deda ka thënë se Kosova ende nuk është shndërruar në shtet të dështuar, por, sipas tij, po i afrohet kësaj pike me shpejtësi.
“Ne ende nuk jemi shndërruar në shtet të dështuar, por po i afrohemi kësaj pike me shpejtësi marramendëse”, ka shkruar Deda në “Facebook”.
Ai ka kritikuar situatën në të cilën zgjedhjet nuk po prodhojnë formimin e institucioneve, ndërsa afatet kushtetuese, sipas tij, po shkelen qëllimshëm.
“Kur zgjedhjet nuk prodhojnë formimin e institucioneve, kur afatet kushtetuese shkelen qëllimshëm dhe humbin kuptimin, dhe kur shteti funksionon me ushtrues detyre, mbërrihet te dështimi politik. E ky dështim shndërrohet në dështim të vetë shtetit”, ka shkruar ai.
Deda e ka cilësuar si tragjike situatën aktuale.
“Tragjike me i pa njerëzit e Kosovës tu e shkatërru shtetin!”, ka shkruar Deda.



