Mobilizim gjithqytetar për t’i thënë JO pushtetit arbitrar!
Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti
Albin Kurti i do institucionet të gjunjëzuara para tij. I do të përmbysura, të nënshtruara dhe të zbrazura nga kuptimi kushtetues.
Atij i duhet një Kuvend i paralizuar, një opozitë e copëzuar dhe një shtet jofunksional, sepse vetëm mbi rrënojat institucionale mund ta ndërtojë pushtetin e pakufizuar që synon.
Asgjë nuk është e rastësishme. Çdo shtyrje, bllokadë, konflikt i prodhuar dhe manovër politike çon drejt të njëjtit objektiv: dobësimit të Republikës së Kosovës deri në pikën e dështimit. Kurti po e shtjerrë shtetin për interesin e vet politik.
Por përgjegjësia nuk mbaron te Vetëvendosja.
Bashkëpunëtori më i dobishëm i kësaj strategjie ka qenë lidershipi i LDK-së, me Lumir Abdixhikun në krye.
Për vite me radhë, Abdixhiku e ka mbajtur opozitën të përçarë, të dobët dhe të paaftë për veprim të përbashkët, për front të bashkuar politik opozitar.
Me megalomani provinciale, kalkulime të ngushta partiake dhe mungesë alarmante të përgjegjësisë shtetërore, Abdixhiku ka luajtur pikërisht lojën që i ka nevojitur Kurtit.
Sot nuk ka front politik dhe nuk ka përgjegjësi ndaj Republikës. Dhe ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëhej pushtetit të Kurtit që synon t’i nënshtrojë institucionet.
Edhe qëndrimi i nxituar për presidentin nga “gjashtshja” përfshirë “akadenikun” dëshmoi papjekuri politike. Në vend që fillimisht të siguroheshin konstituimi i Kuvendit dhe funksionimi i institucioneve, LDK-ja e Abdixhikut ia dorëzoi Kurtit paraprakisht justifikimin për krizën e radhës!
Kështu, prej vitesh, lidershipi i saj është shndërruar në patericën politike të Vetëvendosjes: KURTI GODIT SHTETIN – ABDIXHIKU FRAGMENTARIZO DHE DOBËSO REZISTENCËN!
Tashmë nuk është pyetja se çfarë do të bëjë Kurti. Sepse qëllimi i tij është i qartë. Pyetja është nëse qytetarët do të vazhdojnë ta shikojnë në heshtje këtë çmontim të Republikës.
Kosova nuk është plaçkë e asnjë partie dhe nuk ka një shtet rezervë. Prandaj, qytetarët duhet të bashkohen përtej përkatësive partiake dhe, me mjete demokratike e protesta paqësore, ta ndalin këtë ofensivë kundër rendit kushtetues.
Koha e heshtjes duhet përfunduar. Institucionet nuk janë pronë e Kurtit. Opozitarizmi opozita nuk mund të mbahet peng i egove të askujt.
Republika duhet mbrojtur nga ata që po e rrënojnë atë dhe nga ata që, për ambicie personale, po ua hapin rrugën.
Kur institucionet kapen nga pushteti, Kuvendi paralizohet dhe Kushtetuta shndërrohet në objekt manipulimi politik, përgjegjësia për mbrojtjen e Republikës nuk mund të mbetet vetëm brenda institucioneve të zaptuara. Ajo kalon edhe te opozita demokratike, shoqëria civile dhe, mbi të gjitha, te qytetarët e Kosovës.
Sot nevojitet një mobilizim gjithëqytetar, përtej çdo dallimi partiak, për t’i thënë një “JO” të fuqishme këtij pushteti arbitrar,
Gjendja në të cilën Kurti dhe partia e tij e sollën shtetin e Kosovës, po e kërkon një bashkim të plotë qytetar dhe opozitar për ta mbrojtur Republikën me të gjitha mjetet paqësore, demokratike dhe kushtetuese.



