Certifikohen 248 kandidatë që e kanë kaluar me sukses provimin e jurisprudencës

09 shtator 2026 | 15:57

Sot (e mërkurë), në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, janë ndarë certifikatat për 248 kandidatët që kanë përfunduar me sukses Provimin e Jurisprudencës.

Para të pranishmëve në ceremoni, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, i ka uruar kandidatët për përfundimin me sukses të një etape të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional, duke vlerësuar përkushtimin, punën dhe sakrificën e tyre gjatë procesit të përgatitjes për Provimin e Jurisprudencës.

“Pas këtij numri fshihen vite të tëra shkollimi, muaj e muaj përgatitje, shumë punë, sakrificë, por edhe pritje. Familje që kanë pritur dhe sakrifikuar së bashku me ju. Plane për karrierën dhe për të ardhmen. Dhe krahas certifikatës, sot natyrisht që merrni mbi supe një përgjegjësi të re, sepse ju e dini shumë mirë, të jesh profesionist ligjor nuk do të thotë vetëm ta njohësh ligjin. Do të thotë ta kesh guximin ta mbrosh ligjin. Të mos bësh kompromis me padrejtësinë. Të mos e përdorësh profesionin për privilegj, por vetëm për drejtësi”, është shprehur ministrja Gërvalla.

Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës ka nevojë për profesionistë që besojnë në ligj dhe që nuk dorëzohen përballë presionit, interesit apo padrejtësisë.

“Sot ju festoni një sukses shumë të merituar. Mbajeni këtë sukses me krenari, por mbani gjithmonë edhe përgjegjësinë që vjen me të, sepse drejtësia kërkohet pikërisht me ju. Me njerëzit që kanë guximin dhe vullnetin ta zbatojnë dhe ta mbrojnë ligjin”.

Në anën tjetër, ministrja Gërvalla ka bërë me dije se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë punën për modernizimin e këtij procesi, përmes digjitalizimit dhe procedurave më efikase, transparente dhe të qasshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti,…