Kuvendi dhe kuvendimi me Vuçiqin për autonominë menaxheriale
Shkruan: Faton Abdullahu
Cila do të jetë çështja e parë me të cilën Kurti do të merret domosdoshmërisht pasi të krijohet Kuvendi dhe të gjitha institucionet e tjera? Veriu. Konkretisht, Kurti si kryeministër do të ulet me ndërkombëtarët dhe me Vuçiqin për ta jetësuar atë që e ka pranuar më herët. Ai e di se, nëse kjo ndodh, është vdekja e tij e turpshme politike. Po pse, pra, e ka pranuar autonominë menaxheriale më herët? Eh, për këtë duhet të pyetet vetë Kurti.
Për rrjedhojë, në pamundësi që t’i shtyjë zgjedhjet në pafundësi, ai do të bëjë çmos që ato t’i mbajë në fund të dhjetorit. Këtu ia vlen të ceket diçka shumë e rëndësishme. Mërgata e Kosovës, sidomos një pjesë e saj në disa vende të Evropës Perëndimore, ka kohë që, pos të tjerash, bie viktimë e propagandave të majtistëve (jo rrallë radikal) të këtyre shteteve, që flasin në superlativë për Kurtin dhe qeverisjen e tij, kurse për ta bërë një gjë të tillë për të tjerët në Kosovë kursehen e, nganjëherë, janë edhe jo pak kritikë.
Këtë Kurti e di dhe llogarit që kjo t’i kthehet në vota , nga mërgata. Tjetra, shumë e rëndësishme, pse nuk kemi institucione është se Kurti dhe qeverisja e tij i kanë paratë në dorë, e kanë pushtetin në dorë, i kanë mekanizmat e tjerë për të manovruar me njerëz dhe para, por gjendja pa institucione i leverdis, sepse nuk ka kujt, si as pse t’i japë llogari. Zgjate, Zot. Për më shumë, ai është i bindur se partitë politike opozitare do t’i lodhë, sidomos financiarisht, sa më shpesh të shkojmë në zgjedhje.
Po i shkoi për dore, me oferta e djallëzi do edhe t’i përçajë. Përmbledhtazi, sa më gjatë pa institucione aq më gjatë Kurti e LV-ja në pushtet pa llogaridhënie. Kurti duhet të largohet që të shpëtojmë nga autonomia për veriun. Po harrova ta përmend edhe presidentin. Nuk harrova, se kjo është çështja dytësore për Kurtin, që, për t’i eklipsuar ato që i thashë më lart, e ngre në mbiçështje.



