Pasi lufta kishte përfunduar dhe po niste liria, shqiptarët përjetuan edhe një tjetër tragjedi
Xhelal Sveçla
Para 22 vitesh, kur mendonim se lufta kishte përfunduar dhe po niste liria, shqiptarët përjetuan edhe një tjetër tragjedi.
Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, mijëra banorë të veriut të Mitrovicës do të përjetonin goditjen e rëndë të radhës nga strukturat kriminale që vepronin direkt të urdhëruara nga aparatura shtetërore e Serbisë. Viktimat ishin të përzgjedhura në bazë të etnisë, sepse krimi synonte spastrimin. Strukturat, të njohura si “Rojat e urës” zbatuan vrasjen e 10 dhe plagosjen e mbi 80 qytetarëve shqiptarë, si dhe dëbimin sistematik të mbi 1500 familjeve nga veriu i Mitrovicës ditëve dhe muajve të ardhshëm.
Sot ne përkujtojmë Nezir e Shqipe Vocën, Niman Sejdiun, Bashkim Rrukecin, Sebaha Abrashin, Selime Berishën, Muharrem Sokolin, Nderim Ajetin, Nerimane Xhakën dhe Remzije Canhasin, që gjetën vdekjen nga plumbat e bombat e këtyre grupeve paramilitare. Kjo masakër, ky terror i zhvilluar në Kosovën e pasluftës nuk ishte asgjë tjetër pos vazhdim i gjenocidit dhe spastrimit të shqiptarëve, si plan i kahmotshëm i Beogradit. Krimi prodhon spastrim, spastrimi prodhon argument demografik për copëtim dhe ndarje të Kosovës, kështu mendonin urdhëruesit. Si pasojë e këtij krimi, mijëra shqiptarë ende as sot nuk janë kthyer në pronat e tyre në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Ne nuk kemi harruar atë krim dhe çdo ditë e angazhimit tonë është drejt ngritjes së shtetit ligjor e të së drejtës që jo vetëm këto struktura kriminale e vrasësit të sillen para ligjit, por dhe qytetarët e dëbuar të kthehen atje ku i kanë shtëpitë, varret e të parëve, vendet e pronat e tyre shekullore.