Habia e evropianëve dhe talljet e Ataturkut dhe Bugattit me mbretërinë shqiptare
Nga: Jason Tomes (pjesë nga libri King Zog, Self-Made Monarch of Albania)
… Disa kritika të pritshme dolën në pah jashtë vendit. Nga Munihu, Wilhelm Wiedi protestoi se ishte akoma Princ i Shqipërisë. Nga Vjena, peshkopi Fan Noli e denoncoi [Ahmet Zogun si mbret] si një “krim të neveritshëm ndaj shqiptarëve”. Monarkia zogiste ishte “farsë e përgatitur në Romë dhe e vënë në skenë në Tiranë”. Noli, i cili së fundmi kishte përkthyer Makbethin dhe Jul Çezarin, foli për Konare-n – grupin e emigrantëve që ishte përcaktuar ta çlironte Shqipërinë nga imperializmi, feudalizmi dhe Ahmet Zogu. Po aq të indinjuar ishin bejlerët e dëbuar në lëvizjen rivale Bashkimi Kombëtar.
Reagimi i Jugosllavisë ishte më i veçantë. Për disa javë, ambasadori jugosllav në Tiranë ishte i padisponueshëm për komente dhe ministri i Jashtëm jugosllav deklaroi se ishte shumë i zënë për t’u takuar me të deleguarin shqiptar në Beograd. Ata e kundërshtuan faktin se Zogu kishte zgjedhur titullin “Mbret i Shqiptarëve”, për dallim nga “Mbret i Shqipërisë”, që me të madhe interpretohej si një deklaratë e autoritetit mbi shqiptarët etnikë në Kosovë. Ky kundërshtim ishte i parashikuar dhe sidomos diplomatët francezë kishin lobuar për një formulë që nuk do të kontestohej. Zogu shmangej dhe shpjegonte pafuqinë e vet “si një çështje në duart” e Asamblesë Kushtetuesi. Dy miqtë e Italisë, Verlaci dhe Alizoti, morën meritat për ndryshimin e qëndrimit të tij. Nacionalistët, tha Zogu, kishin shtrirë pritjet të cilat ai assesi nuk do të mund t’i zhgënjente. “Froni m’u ofrua nga shqiptarët, në mënyrë që të mos quhem ndryshe pos Mbreti i Shqiptarëve”, pohoi ai dhe në favor të tij ishte një aspekt i këtij debati. A nuk ishte, në aspektin zyrtar, monarku i Jugosllavisë “Mbreti i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve”? Ishte gjithashtu Cari i Bullgarëve dhe Mbreti i Helenëve – të dy tituj këta të zgjedhur duke pasur parasysh rishikimet e kufijve.
Beogradi e njohu mbretërinë më 18 shtator. Një tjetër krisje në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare do ishte veçse një kartë në duart e Mussolinit. Njohja italiane ishte aq e shpejtë, si për ta theksuar sponsorizimin e tyre të regjimit. Vizitori i parë zyrtar në pallatin mbretëror ishte Ugo Sola, i cili dha mesazhin e papërmbajtur që mezi maskonte Traktatin e Tiranës:
Qeveria ime, me kënaqësi të madhe pa ndryshimin e statusit të Shqipërisë, që Madhërinë Tuaj solli në fronin që ishte lënë bosh për pesë shekuj nga aleati besnik i Italisë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Jam i sigurt se Madhëria Juaj do gjejë frymëzim në traditat e këtij paraardhësi të madh, në ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të një aleance, vlera, forca dhe zgjatja e së cilës lidhen nga traditat historike dhe nga konsideratat gjeografike.
Zogu u përgjigj se aleanca do “të zgjasë më tej; në fakt do zgjasë gjithmonë”. Duçes ia ofroi miqësinë dhe mirënjohjen e vet.
Mbreti i Shqiptarëve mërzitej që Britania dhe Franca pritën tri javë përpara se ta njihnin lartësimin e tij (që mbronin Jugosllavinë të mos dukej si rast i izoluar). Sër Robert Hodgson, ambasadori i ri britanik, raportoi se njerëzit e varfër nuk do përballeshin me lehtësira, vetëm pse diktatorit të tyre iu tek ta quante veten Mbret (që rridhte nga fjala latine imperator), megjithëse “shqiptarët më mirë e kuptojnë një mbret sesa një president”.
Në terma formalë, Zogu e kishte vënë veten mbi krerët e fiseve dhe mbi bejlerët dhe kishte përforcuar reputacionin e tij jashtë vendit. Në gjuhën popullore, titulli i tij ishte në të vërtetë i njëjtë me atë që u përdor nga Princi Wilhelm më 1914, por Mbreti i ri e përcaktoi përkthimin e tij si “Mbret”, jo pa arsye, duke pasur parasysh se princat e vetëm sovranë në Evropë mbretëronin në Monako dhe Lihtenshtajn. Mbreti i Shqipërisë e zuri vendin e parë në [librin e mbretërve evropianë – shën. i përkth.] Almanack de Gotha (në rendin alfabetik, sipas shtetit). Përdorimi i tij i numërorit, Zogu I, përputhej me praktikën kontinentale, megjithëse dukej si i parakohshëm dhe pompoz për anglishtfolësit.
Disa krerë shtetesh, me shumë pak mirësjellje reaguan ndaj krijimit të mbretërisë. Kur e mësoi këtë lajm, Mustafa Kemali, presidenti i Turqisë, e goditi tryezën me grusht:
Çfarë! Ta pranoj? Jo, jo. Kurrë nuk do ta njoh! Mbase do të jem i vetmi në botë. Kjo s’ka rëndësi. Ju betohem, jua jap fjalën që s’kam për ta njohur. Duhet dhënë një shembull. Burri i zgjedhur nga populli nuk duhet ta tradhtojë kurrë betimin e vet. Kurrë!
Ataturku i ardhshëm, i cili mund të mos ketë qenë krejtësisht esëll, urdhëroi që fjalët e tij të botoheshin fije për pe. Më vonë, e përshëndeti një diplomat shqiptar me pyetjen: Asaf Bej, shoh shumë fotografi qesharake nëpër gazeta. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Po vini në skenë ndonjë operetë?
Kemali kishte shumë të përbashkëta me Zogun. Pjesërisht me origjinë shqiptare, ishte shkolluar në Manastir dhe në Stamboll. Heroi i tij ishte Napoleoni. Vjenën e vizitoi në vitin 1917. E kishte udhëhequr rezistencën ndaj ndarjes së vendit të vet dhe e kishte bërë veten një diktator të përkushtuar ndaj modernizimit. Gjithsesi, turku ishte nënçmues ndaj arritjeve të vogla të shqiptarit dhe veçanërisht ndaj aleancës së tij me Italinë.
Dëshira për të hedhur poshtë fjalët se do ta bënte veten Mbret të Turqisë, mund të shpjegojë gjithashtu vrullin e tij. “Zogu po shkon mbrapa”, bërtiti ai. “Pse duhet të bëhet Mbret në këtë kohë”? Marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Ankarasë u ngrinë për më shumë se tre vjet. Mbreti Zog veproi me indiferencë: pas shekujve të sundimit osman, Shqipëria kishte arsye të distancohej nga Turqia. Në të vërtetë, u ndje thellësisht i fyer.
Pafundësisht përsëritej tallja me operetën. Gazetarët shkruanin se Zogu i udhëzoi motrat e veta të mos fotografoheshin shumë shpesh me kostumin shqiptar, që të huajve të mos ua kujtonin aktin e dytë të Vejushës gazmore [operetë e kompozitorit Franz Lehá – shën. i përkth.]. Imazhi i “Pontevedros” i Franz Leharit, mendonte ai, kishte kontribuar në rënien e Malit të Zi të pavarur. Ndoshta duhej të kishte shkuar më tej dhe të ndalonte princeshat më të reja të shfaqeshin me uniformat ushtarake të pambukut të bardhë, gjë që po ashtu sugjeronte korin e parodisë nga Kënga e Shkretëtirës [operetë e kompozitorit Sigmund Romberg – shën. i përkth.]. Bota e jashtme, kurrë Shqipërinë nuk e kishte marrë shumë seriozisht, por Mbreti Zog do të ishte personi i fundit që do të kuptonte se aspak nuk ndihmon ngritja e papritur e një njeriu të maskuar me shkëlqim e me emër të çuditshëm (Në Britani, Zog ishte emri i markës së një produkti të njohur pastrimi).