A do ta bëjë Albin Kurti ndryshimin?

19 shkurt 2020 | 11:40

Shkruan: Perparim Ahmeti

Ndryshimi politik është bërë, por kjo është vetëm një pjesë e ndryshimit e cila nuk ka shumë efekt në popull. Në Kosovë me ardhjen e Albinit është vendosur një standard i ri për pozitën e kryeministrit dhe të ministrave. Vjosa dhe Albini janë një gjeneratë dhe një standard i ri në politiken kosovare. Këtë fakt duhet ta marrin shumë seriozisht partitë opozitare nëse duan të ofrojnë kandidat të ngjashëm në të ardhmen.
Por, cilat janë ndryshimet që populli i pret në të ardhmen nga Qeveria e re?

Ndryshimet e mirëpritura janë më tepër të karakterit ekonomik, zhvillimor dhe sundimi i ligjit. Këto ndryshime ende nuk kanë ndodhur, pra pyetjes se a ka ndodhur ndryshimi duhet t’i përgjigjemi me fjalën: PJESËRISHT!
Kryeministri i ri i ka të gjitha predispozitat ta bëjë atë NDRYSHIMIN që e ëndërrojnë kosovarët, por do ta ketë ekstrem vështirë. Ndryshimet e tilla, zakonisht nuk mund t’i bëjë një person apo një grup i personave nga kabineti qeveritar. Është iluzion të mendohet që të gjithë ministrat do të kenë sukses, tek disa prej tyre suksesi varet nga aftësia e tyre, kurse tek disa të tjerë edhe nga shumë faktorë tjerë relevant. Në fushat si tregtia, financat dhe bujqësia, mundësia për sukses është reale dhe jo edhe aq e vështirë. Në fushat tjera, edhe nëse ato udhëhiqen nga ndonjë “Superman”, suksesi është përpos i vështirë, gjithashtu edhe i ngadalshëm. Arsimi dhe shëndetësia janë fushat ku kërkohet një punë tepër e madhe për ndonjë ndryshim shumë të vogël. Ata që mendojnë të kundërtën, ose nuk e njohin problematiken ose nuk kanë vizion se çfarë ndodh në këto dy fusha në botën e zhvilluar. Fushat me probleme mesatare dhe mundësi të zgjidhjes në afatin jo shumë të largët janë ato që lidhen me sundimin e ligjit.

Por ku mbeti zhvillimi ekonomik?!!

Për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është e domosdoshme që të trajtohen problemet e lartcekura, fillimisht arsimi dhe sundimi i ligjit. Duke marrë parasysh se Qeveria për momentin përballet me një staf civil mjaft të politizuar dhe të dembeluar nga keqqeverisjet e deritanishme, bashkëpunimi apo motivimi i tyre do të jetë shumë i vështirë. I mbetet Qeverisë që të mendoj për një program nacional të injektimit të ekspertëve në shërbimin civil të Kosovës. Nëse arrihet kjo atëherë, me të vërtet mund të shpresohet për një ndryshim pozitiv për popullin e Kosovës. Nëse marrim parasysh nivelin arsimor në Kosovë, me siguri se nuk mund të gjejmë shumë ekspertë për të kontribuar në këtë çështje. Mundësia e vetme mbetet tek thithja e trurit nga diaspora, mendoj që vetëm ata mund ta bëjnë ndryshimin, këtu po mendoj për diasporën tonë të arsimuar dhe të suksesshme në perëndim, jo për dajët e tezet e politikanëve. Për shembull me një kontingjent prej 100 ekspertëve nga diaspora duke i shtuar edhe disa nga ekspertët e nacionaliteteve tjera por të përzgjedhur direkt nga Qeveria, mund të bëhej një BOOM, jo vetëm ne aspektin zhvillimor por edhe në atë social e shoqëror. Diaspora jonë do të lidhej edhe më ngushtë me Kosovën dhe do t’i jepte një puls të ri besimit për investime nga jashtë e sidomos nga vet diaspora.
Por, diaspora nuk sjellët në Kosovë me patriotizëm e populizëm, ata mund t’i sjellim me kushte të mira të punës dhe respekt human. Pra, Qeveria Kurti nuk e ka luksin të mendoj gjatë për strategji monotone, ajo duhet të tregohet me radikale dhe e guximshme në vendimet dhe veprimet e ardhshme.

Të gjitha këto janë dëshira, të cilat sigurisht nuk janë të lehta për t’u implementuar. Z. Kurti e ka ekstrem vështirë që në të njëjtën kohë të merret me tarifën, dialogun politiken e brendshme etj. Ai si kryeministër për çdo ditë ka aktivitete të ndryshme politike dhe takime të panumërta, andaj duhet menduar me tepër për këto problemet sipërfaqësore që u ceken e të cilat kanë efekt direkt në shoqëri. Politika një ditë duhet të merret edhe me problemet e vështira siç janë universitetet private e publike, prokuroritë dhe gjykatat, por shumë esenciale edhe çështja e pronave dhe kadastrës. Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Serbinë për kthimin e dokumentacionit kadastral. Shtrohet pyetja çfarë do të ndodhë kur të dalin pronat e keqpërdorura në 20 vitet e pasluftës si “kungulli mbi ujë”. A e di shoqëria kosovare që më pak se 10 për qind e pronarëve faktik i kanë pronat në emrin e tyre. A e di shoqëria kosovare se sa konteste pronësore janë nëpër gjykata që s’mund të marrin një epilog për arsye të mosfunksionimit të sundimit të ligjit dhe vendimeve tjera ekzekutive.
Këto qe i përmenda më lartë janë disa probleme që ndoshta kryeministri është mirë mos t’i di fare. Por, përparësia e z. Kurti në ketë problematikë të pronave dhe kadastrës është që ai nuk ka gisht në asnjë skandal që lidhet me to, dhe si rrjedhojë do ta ketë më lehtë trajtimin e tyre dhe s’ka ndonjë hipotekë për trajtimin e dokumenteve kadastrale të ardhura kohëve të fundit nga Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Libisë, e njohur ndërkombëtarisht, ka pezulluar bisedimet e…