
A do ta kishte themeluar OKB Gjykatën Speciale?
Shkruan: Agron Hoti
Nuk është kurrfarë sekreti të thuhet se beteja për Gjykatën Speciale (GjS) vazhdon të jetë betejë mes Perëndimit të kryesuar nga SHBA dhe Rusisë me aleatë të saj. Nuk e kishte dhe asnjëherë s’e ka pasur Rusia telashen se a do të gjykoheshin ndonjëherë krimet e pretenduara të luftës né Kosovë. Rusia vazhdon ta ketë synim dënimin e UÇK-së për ta dështuar me çdo kusht shtetin e Kosovës, të cilin ajo me aleatë të saj vazhdojnë ta shohin si projekt amerikan. Kosova e Serbia vazhdojnë të jenë aktoré në terren brenda mozaikut të madh konfrontues mes SHBA-së që mbështet Kosovën dhe Rusisë që mbështet Serbinë. Beteja në GjS është politike. Me politikë është themeluar GjS, me politikë do të mbyllet.
Me apo pa Këshill të Sigurimit (KS), Kosova s’i ikte dot themelimit të GjS-së. Kjo sepse, Raporti i Dick Martyt ishte miratuar në vitin 2011 në Këshill të Evropës (KiE), pra në zemër të Evropës, ndaj s’e ndaltë më atë askush GjS, sepse pa kryerjen e saj çfarëdo rruge e Kosovës drejt OKB-së, NATO-s, BE-së, Këshillit të Evropës, etj. do të ngelej e mbyllur. Fakti që evropianët që po vareshin çdo vit e më shumë nga energjia ruse, po e linin gjithnjë e më të vetmuar SHBA-në në luftë e saj kundër terrorizmit në Azi dhe çështje tjera në glob siç ishte edhe problemi i Kosovës. Kjo çarje e marrëdhënieve SHBA-Evropë e nxitur nga Rusia, po e rriste çdo vit e më shumë GjS dhe sulmet ndaj Kosovës.
Gjithsesi, pa themelimin e GjS, Rusia do të vazhdonte ta akuzonte SHBA-në se po i ikte drejtësisë dhe po fshihte krime të pretenduara të luftës në Kosovë dhe kjo do t’i sillte disavantazhe të mëdha SHBA-së si mbështetëse e jona në përpjekjet e saj për ta shtyrë përpara çështjen e Kosovës dhe çështjeve të ngjashme në glob.
Ndërkohë, nga shkaku i mosthemelimit të GjS, Serbia do të nxitej nga Rusia që t’i ikte çfarëdo dialogu me Kosovën me arsyetimin se Kosova s’po i përgjigjej drejtësisë ndërkombëtare. Një gjendje e tillë do të shkaktonte tensione dhe do ta rrezikonte stabilitetin rajonal e kjo do të çonte ujë në Rusinë që edhe sot synon kaosin në rajon, Evropë dhe Perëndim.
Në anën tjetër SHBA në asnjë variant s’do të lejonte që GjS të formohej nga KS, pavarësisht që Kosovës i thuhej: më mirë bëni ju GjS, sesa ne në KS. Telashja e madhe politike e SHBA-së ishte kjo: çfarëdo vetoje e saj kundër themelimit të GjS nga KS, do ta ekspozonte atë si refuzuese të drejtësisë ndërkombëtare dhe si fshehëse të krimeve të pretenduara nga Raporti i Dick Martyt. Kjo do t’i sillte pasoja tepër të rënda para syve të botës, sepse Rusia e Kina me aleatë të tyre mezi do të prisnin ta akuzonin se ajo po i ikte drejtësisë në Kosovë.
Prandaj, SHBA këmbëngulte që çështja e GjS mos të shkonte fare për diskutim në KS. Sepse një GjS e themeluar nga KS me gjyqtarë rusë, kinezë, etj. do të mund ta implikonte vetë SHBA-në dhe NATO-n në procese gjyqësore si mbështetëse e UÇK-së.
Për këtë arsye SHBA kërkonte një zgjidhje me dëme sa më të vogla për të dhe për të ardhmen e vetë Kosovës. E zgjidhja e vetme ishte, siç edhe ndodhi, që Kosova ta themelonte vetë GjS me vendndodhje në Holandë në vendin më proamerikan në BE. Më mirë një GjS nën kontroll të Perëndimit të kryesuar nga SHBA, sesa nën kontroll të KS-së, ku do të kishte dorë Rusia, Kina, etj.
Por, ama sikur Kosova vërtetë ta kishte refuzuar themelimin e GjS, atëherë nuk qëndron argumenti se do ta bënte atë SHBA në KS. E vërteta është që edhe ShBA do ta kishte refuzuar atë përmes vetos në KS, kjo sepse SHBA në asnjë mënyrë nuk do të gdhendte në këmbë të veta. Sepse SHBA e dinte që GjS ishte sulm ndaj saj, ndaj projektit të saj. Por, kostoja e refuzimit përmes vetos në KS do të ishte shumë e madhe për SHBA-në, sepse do të ekspozohej para botës si refuzuese e drejtësisë ndërkombëtare. E kjo pastaj do të mund të imitohej nga Rusia e Kina nëpër proxit e tyre në glob.
Por, pyetja që duhet shtruar është kjo: cilat do të ishin pasojat për Kosovën në një skenar të tillë, ku Kosova do ta refuzonte themelimin e GjS në Kuvend të saj? Sigurisht që Kosova do të izolohej nga Perëndimi i kryesuar nga SHBA, do të sanksionohej (për ikje drejtësie) dhe bllokohej saktësisht siç ka degraduar sot, ku vendi është paralizuar së brendshmi dhe së jashtmi dhe ku rinia kanë kapur kokën në dorë duke ikur edhe natën.
Dhe në fund, prapë s’do t’i shpëtonim themelimit të GjS. Në këtë kuadër vetëm sa do të përshpejtohej diskreditimi i forcave refuzuese politike në Kosovë, do të sillej pastaj një forcë e re politike që megjithatë do ta themelonte GjS-në, sepse Kosova s’i ikte dot obligimit ndërkombëtar, e aq më tepër kur beteja për GjS vazhdon të jetë betejë mes SHBA-së dhe Rusisë.
Prandaj, pranimi i Kosovës për ta themeluar vetë GjS është një argat i madh që ia kemi kthyer SHBA-së. Duke u treguar bashkëpunues, SHBA hapur po e mbron sot Kosovën si brenda ashtu edhe jashtë GjS. Të gjithë ata që thonë s’do të duhej ta themelonim GjS, me apo pa vetëdije janë kundër interesit të Kosovës. Kosova pa miq nuk ia del dot. E mik më të madh se SHBA-të s’kemi pasur ndonjëherë në histori.