A duhet të arrestohet lokomotivisti

30 shtator 2019 | 17:29

Shkruan: Dr. Ilir Rrecaj

Qasje dhe përgjegjësi për t’u përmirësuar

Para disa ditësh në Kosovë, pas një fatkeqësie, u arrestua një lokomotivist. Vetëm reagimi i kolegëve me bojkot të punës ndikoi që ai të lirohet nga burgu. Pësimet e njerëzve nuk janë temë e këtij vështrimi. Ato janë të pazëvendësueshme e llogaritshme. Dhjetëra mijëra euro dëme të shkaktuara për shkak të ndalimit të punës e vonesave të udhëtarëve e mallrave, pa llogaritur vuajtjet shpirtërore të lokomotivistit. A është kjo çështje e rregulluar në aspektin ligjor dhe nëse po, a duhet harmonizuar sa më shpejt me ato të BE-së? Qytetarët duhet të informohen se hekurudha është zone e mbrojtur. Qëndrimi në hekurudhë për personat dhe mjetet private nuk është i lejuar në asnjë rrethanë. Edhe qëndrimi i personave përgjegjës duhet të bëhet vetëm me leje të veçantë. Për sinjalizimin e vendkalimeve, përgjegjëse janë organet shtetërore përkatëse.
Pak kohë më parë, pas një fatkeqësi në hekurudhë, u burgos një lokomotivist! U deshtë reagimi i kolegëve dhe ndalja e punës, që ai pas disa ditësh të lirohet. Edhe pse hekurudha e Kosovës ka një intensitet të ulët të veprimtarisë, me decenie shkaktohen fatkeqësi, të cilat jo rrallë kanë për pasojë përveç dëmeve materiale dhe humbje jetësh. Kjo është për keqardhje. Për keqardhje është sepse me decenie këto fatkeqësi ndodhin në mënyrë të përsëritur në disa udhëkryqe, tanimë të identifikuara “si tragjike”. Pse organet përkatëse, pas gjithë këtyre viteve, nuk arrijnë të vendosin sinjalizim të duhur, është pyetje për diskutim me shpresë në regjistraturën e ardhshme qeverisëse.

Nuk është e rrallë dukuria, kur personat privat kanë qëndruar në hekurudhë edhe jashtë këtyre udhëkryqeve dhe gjithashtu për pasojë ka pasur fatkeqësi e dëme.
Humbjet e jetëve të njerëzve nuk diskutohen, janë gjithmonë të rënda. Dëmet materiale pastaj gjithashtu.
Por cili është roli apo “faji” i lokomotivistit këtu?
Sipas qasjes së shteteve të Bashkimit Evropian është zero faj (me kushtin që ai të jetë i certifikuar si i aftë për punë). Në hekurudhë dhe zonën afër saj, qëndrimi është rreptësisht i ndaluar. Edhe qëndrimi i punëtorëve dhe përgjegjësve tjerë të hekurudhës, bëhet jo vetëm me leje të veçantë, që sqaron arsyen, aktivitetet që do kryhen, vendqëndrimin, kohën dhe lajmërimin e personave përgjegjës për përfundimin e qëndrimit. Vetëm atëherë hiqen masat e sigurisë. Atëherë informohen lokomotivistët, se kanë segmentin e hekurudhës të lirë për qarkullim. Këta persona (profesionistë për mirëmbajtje të hekurudhës, të rrymës, të sinjalizimit, ndërtimit, etj.), që me detyrë do të gjinden në hekurudhë, nuk mund të pujë, nëse nuk kanë Certifikatë të aftësisë për punë në hekurudhë, vetëm ose në grup, lëshuar nga Specialisti i Mjekësisë së Punës. Për lëshimin e Certifikatës duhen bërë testet e dëgjimit, të të parit, duke përfshirë dallimin e ngjyrave dhe plotësuar kriteret e parapara të arritshmërisë. Gjithashtu në aspektet tjera shëndetësore si neurologjike, kardiovaskulare, psikologjike, muskuloskeletale dhe sisteme tjera, nuk duhet të ketë mungesa, që kufizojnë aftësinë e përqendrimit, vëmendjes, lëvizjes, etj.

Pra në hekurudhë mund të gjinden vetëm personat e aftë shëndetësor, të autorizuar, me informim përkatës të njësive mbikëqyrëse të sigurisë.
Nëse dikush në mënyrë të paautorizuar shkel zonën e hekurudhës, duke llogaritur të dhënat teknike të trenit, mund të pësoj fatkeqësi dhe lokomotivisti në të shumtën e rasteve nuk mund të reagoj, e kështu as parandaloj fatkeqësinë. Kjo ndodhë sepse vetëm Lokomotiva ka një peshë deri në 180 tonë. Pastaj vagonët dhe ngarkesat eventuale. Nëse ky tren merr një shpejtësi prej themi 80 km në orë, me gjithë atë masë dhe me një sipërfaqe të fërkimit të ngushtë të rrotave, rruga e ndaljes së trenit pas frenimit është shumë më e gjatë se shembull i veturës ose mjeteve tjera të transportit rrugor. Bazuar në këto shkaqe teknike (dhe jo vetëm) lokomotivisti është i liruar nga çfarëdo përgjegjësie për fatkeqësinë. Si u tha më lartë gjithmonë me kushtin, që ai të ketë qenë në aspektin shëndetësor i aftë për punë dhe pa ndikim të ndonjë substance abuzive!
Me këtë kusht, ai pas informatës për fatkeqësi, merret në kontakt nga udhëheqësi në detyrë. Lokomotivisti vendos vetë se a do të merr kujdes nga mjeku përgjegjës. Ai merret nga personeli, vendoset sipas nevojës në hotel ose i sigurohet kthimi në shtëpi. Fatkeqësia evidentohet në regjistrat përkatës si fatkeqësi në vendin e punës. Në rast të pasojave traumatike (sepse ai tenialisht përjeton rëndë fatkeqësinë të cilën nuk mund ta parandalon), sigurohet trajtimi profesional mjekësor, psikotherapeutik. Të gjitha shpenzimet e trajtimi i bartë punëdhënësi, gjegjësisht Sigurimi Ligjor i Fatkeqësive. Edhe për pasojat e mundshme afatgjata shëndetësore.
Është e ditur se shumë nga këto kushte në Hekurudhat tona momentalisht nuk plotësohen. Hekurudha as nuk konsiderohet si ndonjë zonë e veçantë (secili e shkele pa “respekt” të rrezikshmërisë), sigurime shëndetësore jo e jo. Mendoj se së paku nuk do ishte mirë që të traumatizohen me tutje këto kuadro, për të cilat duhet kohë e investime e sakrificë që të aftësohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Subjektet politike që po garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare…