A e dinë politikanët e Kosovës se shqiptarët janë shumicë

16 korrik 2021 | 14:57

ARDIT BIDO

Fitorja e Vetëvendosjes me një marzh fitoreje të atillë u kthye, me të drejtë, në lajmin e ditës në hapësirat shqiptare. Mirëpo, prej nihilizmit kombëtar, që nuk duam të shohim tej realitetit etnocentrik, askund nuk u përmend fituesi më i madh i zgjedhjeve në Kosovë: Aleksandër Vuçiç. Kjo, sepse nëse Vetëvendosje ia doli të marrë gjysmat e votave në rang vendi, Vuçiç rrëmbeu 95% të votave të serbëve dhe, më tej, përmes politikës së vet kombëtare, prodhoi edhe fituesit e mandateve të rezervuara për boshnjakët dhe romët në Kuvendin e Kosovës.

Për ata që nuk e dinë, pakicat kanë ulëse të garantuara në legjislativin e Prishtinës dhe në këto zgjedhje ndodhi një fenomen i ri: partia boshnjake e Adriana Hoxhiç, një ish-zyrtare e institucioneve kosovare, mori vota aty ku nuk ka boshnjakë: në Leposaviqin me shumicë serbe, në Graçanicë me shumicë po serbe e thuajse asfare në Prizren ku jeton një bashkësi e konsiderueshme boshnjakësh.

Kështu, Aleksandër Vuçiç pasi zhbëri dhjetëra politikanë të votuar serbë të Kosovës që njihnin pavarësinë e saj, si Sllobodan Petroviç, Nenad Rashiç e të tjerë, duke konsoliduar në maksimum votat serbe rreth listës së tij, tashmë po e shtrin ndikimin më tej: te pakicat e tjera në Kosovë.

Sot për sot, arroganca mediatike dhe e diskursit publik të kahut tonë qëndron stoike duke as mos e përmendur në rezultat zgjedhor Listën Serbe, që edhe sikur të mos ishte sistemi zgjedhor siç është, ka fituar thuajse 6% të votave, mjaftueshëm për të pasur peshë në Kuvendin e Kosovës e për të qenë pjesë e qeverisë si alternativa e vetme që plotëson kushtet kushtetuese për pakicat. Kështu, mediat e analistët, kur rendisin rezultatet, kalojnë nga AAK që hyri në Kuvend te Nisma që mbeti jashtë, me një mohim të pakuptimtë të një realiteti zgjedhor.

E kur përmendet, shkarazi, Lista Serbe, përmendet sa për të anatemuar armikun, për t’u qarë si pakicë sesi Vuçiç ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, për të thënë me qesëndi e gati-gati me shovinizëm se “serbët kështu janë”, duke iu larguar së vërtetës me mërinë që ka amatori që luan damë me shtetarin që luan në skakierën e madhe ndërkombëtare.

Nesër-pasnesër, kur Vuçiç të kontrollojë edhe pakicat e tjera, duke bllokuar ligje jetike që pakicat duhet të votojnë për t’i kaluar, do nisim t’i përmendim, për të thënë që “ata s’duan të integrohen”, “kanë më shumë të drejta sesa u takojnë”, e çdo gjë tjetër veç të vërtetës së hidhur: politikanët shqiptarë të Kosovës nuk e dinë që shqiptarët janë shumicë dhe si të tillë e kanë për detyrë institucionale, interes kombëtar dhe vokacion humanist njëherazi, që të integrojnë pa hile pakicat.

Sepse Adriana Hoxhiç që sot është në krahët e Vuçiç, është e njëjta që para një dekade lutej për të pasur kandidimin e një partie shqiptare për kryekomunare të Mitrovicës së Veriut, që iu mohua për të vënë një kandidat shqiptar që s’do kishte kurrë shansin të merrte as 10% të votave, a thua se shqiptarët janë pakicë që duhet t’i tregojnë vetes sa vota kanë.

Sepse Sllobodan Petroviç dhe Nenad Rashiç, që kur anatemoheshin nga serbët, njihnin pavarësinë e Kosovës u syrgjynosën politikisht nga “patriotët shqiptarë”, që në vend të mbështesnin kandidatët e partisë së Petroviçit e Rashiçit në Artanë a në Shterpcë, nxirrnin kandidatë shqiptarë duke prodhuar Listën Serbe të sotme, përmes dëmtimit të atyre serbëve që njihnin Kosovën shtet.

Sepse, në vend që pakicat të integrohen natyrshëm si qytetarë të zakonshëm të shtetit të Kosovës, nuk gjen në institucione shtetërore të aftët ndër pakicat të punësuar rregullisht, por veç ca për show, që në fund nuk i mbron askush nga skakiera perfekte e Vuçiçit.

E ky pseudonacionalizëm mendjeshkurtër që ka futur këmbëkryq Vuçiçin në Kosovë, nuk është prodhuar nga ndërkombëtarët që krijuan personat politika të Petroviçit, Rashiçit e Hoxhiçit të parë, por nga shtirja dhe ndjesia prej pakice e politikanëve shqiptarë të Kosovës.

Këtu, në mes të Ballkanit, ku minoritetet integrohen e Ulqini qeveriset nga Gjukanoviç, Haraçina qeverisej nga LSDM, Pllasnica qeveriset nga BDI, Novi Pazari nga aleanca e Vuçiçit, Dropulli nga PS, Kosova ka mbetur përjashtimi i fundshekullit të kaluar, që vetëm sa dezintegroi shtetet që udhëhiqeshin nga politikanë me kësi mentaliteti.

Se kur Vuçiç fiton mbi boshnjakët, ndaj të cilëve regjimi që i bënte jehonë ushtroi gjenocid, veç dritëshkurtësia e të menduarit se je pakicë, mund ta lërë Kosovën të sillet në atë formë saqë pastron mëkatet e armikut të vetë.

Ndaj, do ta uroj Kosovën për zgjedhje, ditën që ndër kandidatët e Vetëvendosjes që mori një fitore historike, të shpallet fitues edhe një serb intelektual i Graçanicës, Shterpcës a Zubin Potokut, apo kur Adriana Hoxhiç të kuptojë se mund të bëjë politikë në Mitrovicën e Veriut edhe me shqiptarët, e të mos duhet të hidhet në krahët e sigurta të Vuçiçit, që di aq mirë çfarë është politika sa ia ka dal që nga sigëbelsi i Millosheviçit të shohë me qesëndi luftëtarët e lirisë që ridikulizohen në procese gjyqësore a thua se ishin fajtorë, sepse realisht ishin të tillë, jo në luftë, por në amatorizmin që trajtonin politikën.

Thënë shqip e troç, Kosova do jetë për t’u uruar kur politikanët shqiptarë të Kosovës të mos mburren kush fitoi Prapashticën a Ratkocin, por kush mundi me ide e politikë, duke i shërbyer e përfaqësuar realisht e cilësisht, qytetarët e vet pa dallime etnike a dallime të tjera, veçse të ideologjive të qendrës politike. Panorama.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mungesa e kryeministrit Albin Kurti në Kosovë ka nxitur reagime…