A e pranoi Ramadan Morina se i masakroi shqiptarët? – Flet avokati Arianit Koci

14 gusht 2025 | 21:11

Forca të shtuara policore, erdhën në gjykatë paraditen e së enjtes.

Kjo meqë brenda saj, ndaj një të dyshuarit për krime lufte, po mbahet seanca e dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit.

E pas 3 ore, nga gjykatorja me pranga në duar, u nxor Ramadan Morina.

Shqiptari nga Astrazubi i Malishevës, po dyshohet se në vitin 1999, mori pjesë në masakrimin e 34 bashkëkombësve të vet, në fshatin Burim të Malishevës.

E pas seancës, për media nuk u deklaruan nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Njëjtë veproi edhe avokati mbrojtës i Ramadan Morinës, Arianit Koci.

Por më pas, Koci u kontaktua nga Tëvë1.

Avokati sqaroi arsyet se si e mori përsipër mbrojtjen e Ramadan Morinës.

“Nëse një avokat refuzon të marrë një klient vetëm sepse dyshohet se ka kryer një krim të rëndë pa asnjë arsye ligjore si konflikt interesi apo mungesë kapaciteti, kjo mund të shihet si shkelje e parimeve etike të profesionit. Kodi i etikës së avokatëve në Kosovë, e detyron avokatin të ofrojë ndihmë juridike pa diskriminim mbi bazën e veprës penale, bindjeve politike, racës, etnisë apo statusit shoqëror të klientit”, sqaron Koci.

Por, a e ka pranuar fajësinë Ramadan Morina?

“Unë jam angazhuar nga djali dhe vajza e tij, të cilët kanë qenë fëmijë në kohën kur ka ndodhur masakra në kohën kur po flitet, ata kanë qenë bashkë me bashkëfshatarët në rrethin e Malishevës e më pas janë dëbuar në Shqipëri. Ndërsa vet i pandehuri me ka thënë sot që një vit nuk ka jetuar në Kosovë, pra në atë kohë nuk ka qenë fare në Kosovë, e para herë që ka hyrë në Kosovë ka qenë në fund të qershorit pas hyrjes së NATO-s. Dua të theksoj se të gjithë jemi të prekur me masakrat në Kosovë dhe fajtorët duhet të dënohen, por të kemi kujdes që në këtë eufori, të mos dënohet ndonjë i pafajshëm e fajësia e secilit person në fund vërtetohet pas një procesi të rregullt ligjor e gjyqësor”, ka thënë Koci.

E kërkesën e PSRKS-së për paraburgim, e aprovoi të enjten Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për këtë, ndaj shqiptarit me pasaportë serbe, Ramadan Morina, u caktua masa e paraburgimit prej 1 muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M kishte qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës, po ashtu dyshohet se në të njëjtën datë, kishte marr pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati. Gjykata vlerësoj se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ramadan Morina u arrestua të martën në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Kjo meqë ai nga shteti serb ku jetoi deri më tani, erdhi për ta vizituar një familjare./Tëvë1

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Psikologia Atifete Syla, një prej mysafireve më të shpeshta në…