A mund të jetë zgjidhja e vetme zgjidhje e qëndrueshme?

08 prill 2020 | 13:44
Avdi F. Smajljaj

 

Ka disa muaj që në opinionin e gjërë të masave, përfshi edhe njerëz të nivelve më të larta shoqërore, është konstruktuar një botëkuptim se ne si vend e si shoqëri kemi gjetur zgjidhjen për problemet të cilat janë krijuar të paktën në dy dekadat e fundit që nga paslufta. Për të mos i radhitur të gjitha problemet që janë krijuar gjatë kësaj periudhe, lista është e pafundme. Edhe pse ka edhe të arritura në nivelin makro, ndër ato edhe krijimi i shtetit. Me një fjalë, pothuajse në të gjitha fushat nuk janë përmbushur objektivat dhe pritshmëritë, dhe jemi diku afër kaulifikimit si shtet i dështuar.

Të gjitha këto dështime janë sistemore dhe sistematike, të cilat reflektojnë përputhjen në mes vlerave aktuale shoqërore e kulturore me papërgjegjësinë politike, të cilat kanë ushqyer dhe mirëmbajtur njëra tjetrën. Përvoja e gjatë historike e shoqërisë nën regjime të ndryshme autoritare, ka gjeneruar dhe kultivuar vlerat autoritare, shumë prezente në vlerat tona kulturore, të paktën vlerat e autoritarizmit pasivë (Fromm). Këto vlera kanë prodhuar në vazhdimësi nevojën për personalizim të politikës, si në kuptimin e lidershipit, ashtu edhe në atë të adresimit të problemit. Për dy dekada, qëndrimi i votueses/sit në Kosovë është konstruktuar dhe mjaftuar më lider dhe emra të liderëve.

Kërkesa e votueses/sit ka qenë dhe vazhdon me mbet emri i një liderje/i. Udhëheqësit i janë përgjigjur kësaj kërkese dhe nevoje me ofrimin e asaj që ka kërkuar votuesja/i. Kjo ka qënë dhe vazhdon të mbetet boshti lëvizës dhe i konkurencës në pluralizmin politik (një pluarlizëm shumë i varfër përderisa i ndërtuar mbi emra njerëzish, e jo ide e programe e vlera të ndryshme, të cilat do e pasuronin pluralizimin në Kosovë, pa të cilin nuk mund të flasim as për progres as për zgjidhje). Ky është edhe burimi i papërgjegjësisë politike në Kosovë. Nëse votueset/it nuk kërkojnë ide, programe, politike, por mjaftohen me emra lideresh/ësh, atëherë ofroju atë.

Ky është burimi i degjenerimit politik dhe problemeve me të cilat po përballemi. Kjo kënaqje dhe mjaftueshmëri me emra, për pushtetarët ka qenë edhe sinjal i mbështetjes blanco, dhe mundësi edhe për të mos përmbush objektivat shtetëror e politik, për të kapur çdo gjë aq as munden, në të gjitha nivelet. Kur jemi te kapja, varësisht nga pikënisja e kapjes, kemi dy lloj kapjesh, kapja nga jashtë dhe kapje nga brenda. Kapja nga jashtë me marrje të pushtetit, dhe kapja nga brenda e institucioneve nga njerëzit brenda institucionit.

Te niveli i masave, deri diku mund të shpjegohet prezenca e këtyre vlerave. Por, çka mund të thuhet për pjesën e shoqërisë që kanë bërë i çik shkollë? Po, për shoqërinë civile, që do duhej të ishte guardiani i demokracisë dhe përgjegjësisë politike? Që të dyja këto kategori gjithashtu kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve qytetare që do të duhej të kishin brenda një democracie. Apo, ndoshta të dyja ose nuk kanë qenë të mjaftueshme, ose nuk kanë ekzistuar fare.

Nëse me shoqëri civile në Kosovë, është kuptuar hapja e një OJQ për të trasferu fonde, atëherë, kjo mund të jetë shumë çka tjetër përveçse shoqëri civile. Dhe, të dyja këto kategori duket sikur e kanë konsideruar këtë ambient si oportunitet për përfitime të ndryshme, përveçse për përfitime të vlerave që do të duhej të përfaqësonin. Pra, duke u tjetërsuar nga vetvetja.

Pra, nëse për një moment e kufizojmë vetveten nga personalizimi i problemeve dhe zgjidhjeve, dhe e shohim problemin më në thellësin e tij, mund të vijmë në konkluzione, se problemet qenkan strukturore e sistemore, dhe zgjidhja e tyre e qëndrueshme duhet të jetë sistemore e strukturore.

Përderisa, vlerat shoqërore individualiste nuk i zëvendësojnë vlerat dominante aktuale të mbijetesës/ekzistencës, nuk mund të flasim as për zgjidhje e as për ndryshime. Pa transformim të vlerave shoqërore, pa një shtresë të mesme solide e cila do ta popullonte sferën publike dhe do të krijonte një shoqëri civile vibrante e vigjilente, e të vetëqëndrueshme, nuk mund të flasim as për ndryshime substanciale e as për zgjidhje të qëndrueshme. Ky trasnformim do të pasuronte pluralizmin shoqëror e politik, i cili është i doemosdoshëm, nëse jemi të insteresuar për të gjetur zgjidhje brenda formulës së demokracisë. Dhe, realisht zgjidhje tjetër nuk ka.

Kur jemi të opinioni i përgjithshëm aktual se VV është zgjidhja e vetme, dhe e krahasojmë me burimin e problemeve dhe mundësitë e zgjidhjes, na lë të kuptojmë se edhe kjo çasje është krijuar mbi vlerat që përmendëm më lartë, ku zgjidhja personalizohet, dhe zgjidhja kërkohet nga liderja/i, ashtu siç është kërkuar për dy dekada, dhe e cila thamë që ka qenë shtytja themelore e degjenerimit politik gjatë kësaj periudhe.

Në suaza të hapësirës që ofron demokracia, individi/lideri-ja nuk duhet të konsiderohet asnjëherë zgjidhje, e aq më pak zgjidhja e vetme. Nuk tingëllon demokratike një çasje e tillë. Mund të jetë praktike në sisteme tjera, por jo në demokraci. Në demokraci, si zgjidhje shihen ato veprime që fuqizojnë pluralizmin shoqëror e politik. Nëse VV është parti e vetme si zgjidhje, atëherë çka mund të themi për pluralizimin, pa të cilin nuk ka as zhvillim as progres. Një parti e vetme nuk e bën dot pluralizimin politik, madje e varfëron edhe pluralizmin shoqëror, edhe ashtu i varfër te ne. Cilado parti politike, e udhëhequr nga kushdo, e cila nuk ka një opozitë të fuqishme, do të korruptohet dhe do të çoroditet.

Po, nëse VV i shtyn partitë ekzistuese të reflektojnë, ose të krijohen parti të tjera, atëherë po, VV e ndihmon pluralizmin në këtë rast. Por, jo duke pretenduar si e vetme, bile edhe të fitoj zgjedhjet si e vetme në një sistem proporcional me një zonë zgjedhore. Krahas kësaj VV duhet të ofroj ide, programe, e politika, e jo individ, sepse ketë e kanë bërë partitë për dy dekada. Dhe, kjo edhe i ka degjeneruar partitë aktuale, dhe u kushtoj me humbje. Aktualisht VV, në ofertë për qytetaret/ët ka individin/liderin, një ofertë që në pluralizëm konsiderohet e varfër.

Nëse hyjmë në një sistem me një parti dominante, dhe nëse konsiderohet VV si zgjidhje e vetme, atëherë çka mund të themi për shoqërinë civile. A do të ndihmoj kjo në krijimin e shoqërisë civile, pa të cilën as nuk bëhet as nuk mbahet demokracia?

A do të ndihmoj kjo në transformimin e vlerave shoqërore, pa të ciliin nuk mund të flasim për ndryshim e për progres?

Çka do të nënkupton kjo për institucionet, a e rrit kjo mundësinë e fuqizimit të institucioneve, aktualisht të dobëta e të kapura nga jashtë e nga brenda, nëse fuqizohet individi, dhe nëse zgjidhja pritet nga individi e jo nga institucionet, ashtu siç është duke u pritur tani?

Si mund të reflektohet kjo hegjemoni, meqenëse po shihet si zgjidhja e vetme mund të përfundoj në hegjemoni, në lirinë e shprehjes, dhe në zhvillimin e vlerave individualiste, pa të cilat demokracia nuk mund të jap?

Të gjitha këto janë konstatime dhe dilema në të njejtën kohë që duhet adresuar, kur flasim për zgjidhjet e vetme, se a mund të jenë ato zgjidhje brenda formulës së demokracisë.

Vertetë kemi nevoj për zgjidhje, por ato nuk vijnë nga zgjidhja e vetme. Zgjidhja e vetme, nuk mund të jetë zgjidhje.

(Dr. Avdi Smajljaj ka përfunduar studimet e Doktoratës (PhD in Political Sciences) në Fushën e Shkencave Politike në Universitetin Duisburg-Essen në Gjermani. Ai është ligjërues i Shkencave Politike.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Holanda është vendi i parë i madh europian që vendos…