
A po e forcon politika e ashpër e Donald Trump Evropën?
Politika e ashpër tregtare e Presidentit amerikan po i tremb investorët dhe po krijon mundësi të reja për Evropën dhe Gjermaninë. Por a po shfrytëzohen ato?
Koha ikën shpejt: 1 gushti është afati i fundit i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Pastaj vendosen tarifa prej 30 përqind në mosmarrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian nëse nuk ka zgjidhje në konfliktin për tarifat me evropianët. Trumpi fillimisht e kishte kërcënuar BE-në me tarifa ndëshkuese prej 50 përqind duke filluar nga 9 korriku. Por dy ditë para kësaj date, Shtëpia e Bardhë e zgjati afatin deri në fillim të gushtit. Negociatat me Bashkimin Evropian janë në vazhdim.
Mbetet të pritet, nëse do të ketë një përshkallëzim me tarifa të larta nga ana e SHBA. E paqartë është po ashtu, se me çfarë masash do të reagonte BE-ja. Por, pavarësisht presionit të madh të ushtruar nga administrata amerikane nën Trumpin në muajt e fundit, investorët ndërkombëtarë tani po e shohin ekonominë amerikane me më shumë skepticizëm dhe, në të njëjtën kohë, po tregojnë interes në rritje për Evropën – dhe veçanërisht për ekonominë më të madhe të BE-së, Gjermaninë.
Ndërsa indeksi i aksioneve amerikane S&P 500 ka fituar vetëm rreth shtatë përqind që nga fillimi i vitit, barometri i tregut gjerman të aksioneve DAX është rritur me pothuajse 20 përqind, duke vendosur rekorde të reja në këtë proces. Që kur Trumpi mori detyrën, dollari amerikan ka humbur më shumë se dhjetë përqind të vlerës së tij kundrejt euros.
Shtetet e Bashkuara po përballen me kritika: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kritikuar mundësinë e daljes jashtë kontrollit të borxhit amerikan. Presidenti i Bankës Federale Gjermane, Joachim Nagel, paralajmëroi në samitin financiar të G7 në Kanada për trazira të reja në tregjet financiare, nëse mosmarrëveshja tregtare me Shtetet e Bashkuara nuk zgjidhet. “Ndonjëherë, në ditë të caktuara, kisha ndjesinë se nuk ishim larg një krize drastike në tregjet financiare”, tha kreu i Bankës Qendrore gjermane. Më parë ishte Zëvendësdrejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, e cila kishte paralajmëruar në një intervistë me Financial Times se deficitet buxhetore të SHBA-së ishin shumë të mëdha dhe se vendi duhej të përballonte barrën e borxhit “gjithnjë në rritje”.
Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Shtetet e Bashkuara kanë një mal masiv borxhesh prej më shumë se 36 trilionë dollarësh. Vitin e kaluar, kjo shumë arriti në më shumë se 120 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) – pothuajse dyfishi i kuotës së borxheve në Gjermani. Borxhe të reja shtohen çdo vit.
Ekonomisti Hans-Werner Sinn beson se hapsësirat për modelin aktual të borxheve amerikan po zvogëlohet. “Amerikanët duhet të shtrëngojnë rripat. Ky standard jetese, kjo botë e përbërë nga qendra tregtare dhe pak fabrika, nuk mund të rezistojë më në planin afatgjatë”, tha ish-Presidenti i Institutit Ifo me seli në Mynih në një intervistë me DW.
Kryeekonomisti i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ralph Ossa shprehet, se mund ta kuptojë që SHBA-të po kërkojnë mënyra për të ulur deficitin tregtar me BE-në. Por edhe ai mendon si shumica e kolegëve të tij. “Nga një perspektivë ekonomike, të gjithë ekonomistët në thelb bien dakord se tarifat nuk janë mjeti i duhur për të adresuar deficitet tregtare”, tha Ossa për DW.
Qasjen e SHBA-së Ossa e krahason me një individ privat që blen më shumë sesa fiton përmes punës së tij dhe për këtë arsye hyn në borxhe.
“Dhe nëse unë, si Ralph, kam një problem me borxhet – për shembull, sepse blej shumë makina – atëherë padyshim që është një mundësi të taksosh makinat në mënyrë që të mos blej aq shumë. Por padyshim që nuk është mënyra më e drejtpërdrejtë për të adresuar problemin”, thotë Ossa, duke përshkruar qasjen e SHBA-së.
Politika agresive tregtare dhe tarifore e Trumpit po i tremb investitorët dhe po i bën t’i hedhin sytë nga Evropa. Stefan Wintels, drejtues i bankës shtetërore gjermane të zhvillimit KfW, në një intervistë të kohëve të fundit me gazetën “Handelsblatt” tha se “e vërej në aktivitete promovuese në rrugë në Nju Jork, Londër dhe Cyrih se interesi i investitorëve ndërkombëtarë për Gjermaninë po rritet. Shumë investitorë institucionalë kanë mbiinvestime në SHBA dhe do të donin të investonin më shumë në Evropë e brenda Evropës, veçanërisht në Gjermani”.
Vetëm brenda pak muajsh, atmosfera ndaj Evropës dhe Gjermanisë është përmbysur plotësisht mes investitorëve ndërkombëtarë. “Në më shumë se 30 vjet përvojë profesionale, nuk kam parë kurrë një ndryshim kaq të shpejtë të mentalitetit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shfrytëzuar këtë moment pozitiv për Gjermaninë dhe Evropën”, tha drejtori ekzekutiv i KfW.
Evropa po tërheq gjithashtu edhe gjigantë ndërkombëtarë investimesh si Blackstone, menaxhuesi më i madh i aseteve financiare alternative në botë. Drejtori ekzekutiv i Blackstone, Steve Schwarzman, njoftoi planet për të investuar deri në 500 miliardë dollarë (437 miliardë euro) në Evropë gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Në një kohë trazirash gjeopolitike, Evropa po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët – jo vetëm për shkak të paketave të investimeve shumëmiliardë euro për infrastrukturën dhe mbrojtjen në Gjermani.
“Ne e shohim këtë si një mundësi të shkëlqyer për ne,” tha kreu i Blackstone-t, Schwarzman, për Bloomberg TV në fillim të qershorit. “Ata po fillojnë të ndryshojnë qasjen e tyre, gjë që ne besojmë se do të çojë në norma më të larta rritjeje.”
Evropa po përfiton që tani nga perspektiva e re drejt kontinentit të vjetër. Në konferencën e investorëve “SuperReturn International” në fillim të qershorit, mijëra investitorë të mëdhenj u mblodhën në Berlin, duke përfshirë fonde pensionesh, kompani sigurimi dhe fonde shtetërore nga e gjithë bota – me asete nën menaxhim që arrinin në total afërsisht 46 trilionë euro.
Sipas Bloomberg-ut, menaxherët nga investitorë të mëdhenj si BC Partners, Permira dhe Brookfield Asset Management folën në favor të Evropës si një vend investimi për shkak të rritjes së rreziqeve ekonomike globale. Dhe gjigandi financiar me seli në Nju Jork, Apollo Global Management, i cili tashmë ka investuar afërsisht 100 miliardë dollarë nga asete të tij prej afërsisht 800 miliardë dollarësh në Evropë, planifikon të përfshihet edhe më shumë, veçanërisht në Gjermani, gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
“Ne shohim mundësi që vetëm në Gjermani të mund të investojmë 100 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme”, tha Presidenti i Apollo-s, Jim Zelter, për Financial Times, duke shtuar se kjo është “një shifër që do të jetë e vështirë për t’u tejkaluar kudo në botë”./DW/