A po e pengon Lëvizja Vetëvendosje koalicionin LDK–PDK në Prishtinë?

22 janar 2026 | 13:56

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes degëve të tyre në Prishtinë, pritet që ditëve në vijim të nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit për bashkëqeverisje në Komunën e Prishtinës. Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës Epoka e Re.

Sipas këtyre burimeve, PDK-ja, e cila ka 12 asamblistë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, do të bashkëqeverisë me LDK-në, e cila numëron 15 asamblistë dhe përbën shumicën në këtë kuvend. Po ashtu, brenda këtij muaji pritet që këtij koalicioni t’i bashkohen edhe parti të tjera politike.

Burimet bëjnë të ditur se, para finalizimit të marrëveshjes ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmëri për të hyrë në një koalicion më të gjerë bashkëqeverisës në Prishtinë. Kjo iniciativë, e VV-së, lidhet me rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me nevojën për një marrëveshje politike që do të përfshinte edhe mbështetjen për kandidatin e kësaj partie për president të vendit.

Megjithatë, ndonëse kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur gatishmëri për një bashkëqeverisje të gjerë me qëllim të avancimit të projekteve të Kryeqytetit, ai thuhet se preferon një koalicion vetëm me PDK-në. Kjo e fundit e kishte mbështetur në mënyrë të heshtur Ramën në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Prishtinës, përballë kandidatit të Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku.

Sipas burimeve të Epoka e Re, bisedimet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së ndodhen në fazën përfundimtare, ku tashmë kanë nisur diskutimet për ndarjen e drejtorive komunale dhe menaxhimin e ndërmarrjeve lokale. Deri më tani, mësohet se PDK-ja do të drejtojë shtatë drejtori ekzekutive të shërbimeve si dhe katër ndërmarrje komunale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka thyer çdo rekord financiar duke udhëhequr renditjen…