A PO NA PËRSËRITET MENDJELEHTËSIA E PARA TANZIMATIT NË KLIMËN E PROTEKTORATIT?

04 gusht 2025 | 20:53

Milazim KRASNIQI

Gjendja mendore e shqiptarëve sot në Kosovë më duket bukur e ngjashme me gjendjen mendore e kulturore që kanë pasur shqiptarët nën sundimin Osman, para reformave të Tanzimatit. Shumica muslimane e popullsisë shqiptare ndienin sigurinë që ofronte Shteti Osman, jetonin nga remitencat (e mërgimtarëve dhe mercenarëve) dhe nga pronat që shfrytëzonin në formë timari, ose forma të tjera të pronës. Nuk e njoh aq mirë gjendjen kulturore të asaj kohe, por ka indikacione që, e pakta në disa nga qytetet kryesore, bënin qejfe me vlera dekadente kulturore. Nga ana tjetër, kombet ballkanike po mobilizonin fuqitë e veta dhe aleancat kundër Shtetit Osman, si edhe lëvizjet kulturore romantike e nacionaliste, pra, po bëheshin gati për kryengritje e luftëra.

Pas reformave të Tanzimatit, shqiptarët, sidomos shumica muslimane, e cila deri atëherë kishte pasur njëfarë sigurie dhe komoditeti, u gjet në situatë të vështirë, në pasiguri dhe e kërcënuar  në të gjitha drejtimet, gjë që e konfirmon edhe Pashko Vasa. Pjesa tjetër e zhvillimeve pas reformave të Tanzimatit është histori e njohur e përpjekjeve shqiptare të vonuara, e përpjekjeve të dështuara njëra pas tjetrës, që kulmoi me spastrime etnike, gjenocid, humbje të territoreve, eksod dhe shkombëtarizim.

Qysh thotë fjala e urtë, “kur thehet qerrja, rrugë gjenden sa të duash”, pra, ne sot mund të shohim se shqiptarët e asaj kohe kanë pasur rrugë të tjera në dispozicion, për t’i shpëtuar katastrofës.  Njëra nga rrugët më të sigurta ka qenë forcimi i organizimit të brendshëm, duke minimizuar ndarjet fisnore, rajonale, fetare e sociale e duke e formësuar me kohë formacionin kombëtar si konkurrues me formacionet e tjera kombëtare ballkanike. Po ashtu ka qenë punë më me mend që për interesat konkrete të përbashkëta me Shtetin Osman të manifestohej më shumë partneriteti e sidomos të krijoheshin lidhje mirëbesimi e partneriteti me disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe. Në fakt, shqiptarët në atë periudhë kanë vazhduar të manifestojnë ndarjet e brendshme ekzistuese, të përplasen nevojë e panevojë me Shtetin Osman dhe të mos arrijnë të krijojnë partneritet strategjik me asnjë fuqi evropiane. Nëse organizimin e brendshëm e kanë pasur të dobët, konfliktin me Shtetin Osman permanent dhe dyshimet me Fuqitë e Mëdha të forta, pas ndryshimit të statu quos nga reformat e Tanzimatit, katastrofa ka qenë e pashmangshme.

Ku e shoh ngjashmërinë e gjendjes së tashme me atë të para Tanzmatit, kur është fjala për Kosovën, e cila me rezolutën 1244 de jure është protektorat i OKB-së? Shqiptarët (këtë radhë të gjithë shqiptarët, po edhe minoritetet) e Kosovës gëzojnë mbrojtjen e sigurinë e NATO-s (KFOR-it) në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke pasur këtë siguri, shqiptarët janë dhënë pas grindjeve partiake, pas qejfeve të shumta pseudokulturore, jetojnë me shumicë nga remitencat e mërgimtarëve, nga privatizimet e përftuara me anën e korrupsionit ose të presionit. Gjendja kulturore e sotme vërtet është një shfytyrim drastik i identitetit dhe kulturës kombëtare, imponim i pseudovlerave, hedonizmit e konsumerizmit si qëllim parësor jetësor. Gjatë dy muajve të verës, qytetet si Prishtina e Prizreni po edhe të tjerat deri diku, janë shndërruar në destinacion turistik të mërgimtarëve, ku paraja në konsum derdhet lumë. Përftuesit e remitencave, familjet e shumta, më shumë pëlqejnë të bëjnë qejfe se sa të punojnë. Bizneset po i përshtaten turizmit sezonal dhe e gjitha përcillet me triumfalizëm, nepotizëm e korrupsion qeveritar, bash si në kohën e sundimit të administratës osmane, të para Tanzimatit.

Shqiptarët e Kosovës, qeveria e saj në rend të parë, i kanë futur veshët në lesh lidhur me turbulencat e tërmetet që po ndodhin në skenën politike, ekonomike e gjeostrategjike ballkanike, europiane e botërore. Bashkëpunimi me Shqipërinë ka ngrirë. Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e të Luginës  së Preshevës Kosova zyrtare po u kërkon vasalitet. Në planin e brendshëm këto vitet e fundit qeveria e Kosovës e ka shndërruar në njëfarë reklame presionin ndaj komunitetit serb në veri të vendit, duke ngritur dyshime serioze për vetë shtetin e Kosovës, i cili sigurinë e ka nga OKB-ja, e jo nga sovraniteti i vet. Efektet e luftës në Ukrainë, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, as që i kalkulon askush. Pasojat mbulohen nga remitencat, në stilin “tun’e ha.”

Nëse ndodhë ndonjë ndryshim i pafavorshëm për pozitën e tyre të tashme, shqiptarët e Kosovës duken tërësisht të papërgatitur, të paorganizuar, njësoj si shqiptarët kur ndodhën reformat e Tanzimatit. Në këtë projeksion, që uroj të mos ndodhë kurrë, por që duket se do të jetë i pashmangshëm, duhet të kihet para sysh edhe këtë realitet të ri gjeopolitik: Shqipëria si anëtare e NATO-s, ka obligime strikte ndaj Aleancës, prandaj ndihma e saj ndaj Kosovës, në rast rreziku, nuk mund të jetë as në nivelin e ndihmës informale që pati ofruar në vitet 1998 e 1999. Prandaj Kosova duhet ta llogarisë fragjilitetin e statusit të papërfunduar dhe rrethimin e ndryshuar gjeopolitik që tash është edhe më shumë në disfavor të saj.

Ashtu siç mendonin krerët shqiptarë para Tanzimatit se Shteti Osman ishte i përjetshëm dhe statusi social e fetar i tyre brenda atij shteti ishte i privilegjuar, ashtu disi janë duke menduar politikanët e Kosovës për sigurinë që ofron OKB, sidomos me KFOR-in. Shumica sillen sikur përkrahja e SHBA-së është e përjetshme dhe KFOR do të qëndrojnë në kufij gjithmonë. Është qasje e gabueshme dhe e rrezikshme, veçmas kur politikat qeveritare, në jo pak raste, janë provokuese ndaj vetë SHBA-së e injoruese ndaj KFOR-it.

4 gusht 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Kryeministrit të Izraelit i ka thënë Shefit të…