A po ndodh rikthimi i Serbisë përmes negociatave paralele?

09 janar 2026 | 14:54

Shkruan: Hisen Berisha

(Kriza e autoritetit kushtetues dhe rreziku i sovranitetit të Kosovës)

Në spektrin aktual politik të Kosovës, Ramush Haradinaj perceptohet nga një pjesë e opinionit publik si figura e vetme politike me kredenciale të luftës dhe të shtetndërtimit, prej të cilit pritet një qëndrim i qartë dhe i pakompromis në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Pritja publike është që çdo tentativë për cenimin e këtyre themeleve të shtetit të përballet me rezistencë politike dhe institucionale, deri edhe ashtu siç u përball regjimi i Millosheviçit dhe aparati shtetëror serb gjatë viteve 1998–1999.
Në këtë qëndrim, unë jam krah, kundër cilitdo që guxon të tradhtojë gjakun e derdhur për liri dhe për shtetin e Kosovës.
Në këtë kontekst lindin pyetje thelbësore që tejkalojnë debatin partiak dhe prekin vetë substancën e shtetësisë së Kosovës. Këto pyetje nuk janë emocionale, por thelbësisht politike, juridike dhe kushtetuese: çfarë kredibiliteti politik, profesional dhe kushtetues kanë individët që janë shfaqur apo kanë vepruar si negociatorë paralelë me Serbinë?
Kush i ka mandatuar ata?
Cilat janë kredencialet e tyre dhe mbi çfarë autoriteti veprojnë?
Para çdo diskutimi tjetër, duhet sqarim para qytetarëve të Kosovës dhe veteranëve të luftës së UÇK-së, nëse ekziston dijeni dhe pajtim politik për një tendencë të rrezikshme të relativizimit të pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës.
Kush e autorizoi Ardian Gjinin dhe a ishte në dijeni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pra z. Haradinaj?
Kush e autorizoi Bernard Nikajn dhe a ishte në dijeni Partia Demokratike e Kosovës?
Kush e autorizoi Lutfi Hazirin dhe a ishte në dijeni Lidhja Demokratike e Kosovës?
Kush i autorizoi Besnik Bislimin, Fitore Pacollin dhe Mimoza Kusarin dhe a ishin në dijeni Lëvizja Vetëvendosje dhe Alternativa Gjakovare?
Këto pyetje nuk janë retorike. Ato shkojnë në thelb të një dileme historike: a po ndodh rikthimi i Serbisë në Kosovë përmes mekanizmave të brendshëm politikë?
A është kjo një agjendë politike e kufizuar në Lëvizjen Vetëvendosje dhe rrethin e Albin Kurtit, apo një proces në të cilin, në forma të ndryshme, janë përfshirë edhe lidershipet e tjera politike partiake?
Në këtë sfond, nga këndvështrimi im i procesit të shtetndërtimit, rihapet edhe një çështje me peshë politike dhe morale: pse figura kyçe të luftës dhe shtetndërtimit ndodhen në burg?
Theksin e vë te Kadri Veseli, ndaj të cilit realisht nuk rëndon asnjë pretendim penal për krime që mund t’i atribuohen në raport me luftën, me zhvillimet politike, diplomatike dhe shtetërore.
Përtej deklarimeve ideologjike apo vetëpërcaktimit për vlera konservatore apo progresiste, rreziku real që ka paralajmëruar në foltoren e Kuvendit dhe në media, qëndron te instalimi në politikë i një strukture politike e cila, në praktikë, krijon kushtet për rikthimin e ndikimit serb në Kosovë.
A ishte pikërisht ky paralajmërim arsyeja e izolimit të tij në Hagë?
Negociatat e fshehta në Solothurn të Zvicrës dëshmojnë për ekzistencën e një kanali paralel bashkëpunimi me Serbinë, jashtë çdo mandati shtetëror dhe në shkelje të rendit kushtetues.
Po të ishin këto procese të mbështetura nga DASH apo SHBA, siç përpiqet t’i relativizojë ndërlidhësja e qeverive Kurti, me Serbinë, znj. Kusari, ato do të zhvilloheshin në mënyrë transparente dhe institucionale, ashtu siç ka ndodhur historikisht në Uashington.
Dialogu me Serbinë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, është kompetencë kushtetuese e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht e Kryeministrit, dhe kjo kompetencë është e kufizuar rreptësisht nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga Platforma shtetërore për dialog, që duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
Kjo e bën thelbësore dhe të pashmangshme pyetjen: mbi çfarë platforme dhe mbi cilin autoritet referues kanë zhvilluar bisedime këta individë?
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga SHBA dhe shumica e vendeve kyçe të Bashkimit Evropian, në kufijtë e saj ekzistues. Siguria e saj garantohet nga NATO/KFOR dhe SHBA. Prania e drejtpërdrejtë amerikane dhe në kuadër të QUINT-it ka qenë gjithmonë transparente. Presidenti Trump ka emisar të posaçëm për çështjet strategjike, dilema shtrohet se a ishte në dijeni të këtyre takimeve? Nëse jo, atëherë nuk kemi të bëjmë me diplomaci, por me veprimtari paralele që minojnë rendin kushtetues dhe, si të tilla, bien ndesh me interesat kombëtare.
Në këtë kuptim, këto struktura po veprojnë jashtë institucioneve, ashtu siç kam paralajmëruar në analiza dhe qëndrime të vazhdueshme, duke synuar rikthimin e formulave të vjetra serbe “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi” dhe që do i vënë në pikëpyetje themelet e shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka…