
AAK-ja në Pejë mbështet propozimin për titullin “Nderi i Qytetit” për afaristët Devolli, Kelmendi dhe Lluka
Sot në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal në Pejë, shefi i Grupit të Asamblistëve të AAK-së, Labinot Panxha i ka dhënë mbështetje propozimit për ndarjen e mirënjohjeve “Nderi i Qytetit” afaristëve vëllezërve Devolli, Ramiz Kelmendit dhe Ekrem Llukës.
Këta tituj nderi do të ndahen nga komuna e Pejës për nder të 16 Qershorit – Ditës së çlirimit të Pejës.
“Ne i kemi parë propozimet, besoj shumë se janë të qëlluara. Vetëm kështu shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen për ata njerëz që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të shtetit, si taksapaguesit më të mëdhenj siç janë vëllezërit Devolli, Ekrem Lluka dhe Ramiz Kelmendi. Edhe pse ky propozim është i vonuar nga ana e juaj, është i qëlluar, andaj ne si Aleancë do ta mbështesim në shenjë mirënjohje dhe respekti për ata njerëz të cilët po ashtu kanë mbushur edhe buxhetin e shumë familjeve në komunën e Pejës dhe më gjerë. Të njëjtit meritojnë titullin ‘Nderi i qytetit të Pejës’”, ka thënë Panxha.