AAK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Istogun

27 dhjetor 2017 | 14:53

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë me dije se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese pas vendimit të Gjykatës Supremes e cila ka hedhur poshtë ankesën e tyre për Istogun.

“Tashmë për AAK-në, nuk është në pyetje kush do të jetë kryetar i Istogut, por janë të drejtat dhe liritë themelore të secilit qytetar të Republikës të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, këto të drejta janë të pamohueshme dhe nuk mund t’i tjetërsoj askush”, është thënë në reagimin e AAK-së.

Reagimi i plotë i AAK-së:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka pranuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës Supreme e cila refuzon ankesën e AAK-së dhe i jep të drejtë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP),në rastin e rivotimit për kryetar të Komunës së Istogut.

Për AAK-në, është e dukshme që gjithçka tjetër është trajtuar në ankesa, qoftë nga PZAP-i apo në Gjykatën Supreme, por vetëm faktet jo.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thotë qartë:
Neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes]
1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.

E vërteta është që, në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Istogut, kanë votuar votues të rinj, të cilët kanë plotësuar moshën për të votuar, kjo është e drejtë kushtetuese e secilit qytetar të Republikës, por vota e tyre është eliminuar nga KQZ-ja dhe është vërtetuar nga PZAP-i dhe Gjykata.

Fakti që ka votues që kanë votuar për herë të parë është pranuar edhe nga KQZ-ja, PZAP-i dhe Gjykata Supreme, por çuditërisht kanë vendosur të jenë mbi Kushtetutën e vendit dhe të përcaktojnë kush ka të drejt të votoj e kush jo.

AAK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të japi vendimin e saj në mbrojtje të Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Tashmë për AAK-në, nuk është në pyetje kush do të jetë kryetar i Istogut, por janë të drejtat dhe liritë themelore të secilit qytetar të Republikës të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, këto të drejta janë të pamohueshme dhe nuk mund t’i tjetërsoj askush.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një shkrim autorial për “EuObserver”, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard…