
AAK-ja tregon emrat edhe të 11 kandidaturave për kryetarë komunash në zgjedhjet e 12 tetorit
Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot me vota unanime, miratoi kandidaturat për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të tetorit.
Kandidaturat e miratuara janë:
• Nazim Gagica – Gjilan
• Besnik Krasniqi – Prizren
• Xhemile Murati – Ferizaj
• Qazim Nimani – Mitrovicë
• Faton Jakupi – Kamenicë
• Ukë Blakaj – Istog
• Agron Kuçi – Junik
• Vildane Latifi – Fushë Kosovë
• Baki Feta – Podujevë
• Labinot Bislimi – Viti
• Ilir Tasholli – Lipjan
Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm u informuan nga Muharrem Nitaj, përfaqësues i Aleancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me ndryshimet në Rregulloren për Zgjedhjet, konkretisht me procedurat për votimin nga jashtë vendit.
Po ashtu, Pal Lekaj, kryesues, dhe Besnik Tahiri paraqitën një përmbledhje të procesit të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ndërsa Lulzim Leci raportoi mbi auditimin e pasqyrave financiare të Aleancës për vitin 2024, si dhe për ecurinë e procesit të emërimit të anëtarëve në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ).
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Në ditët në vijim, strukturat lokale të Aleancës në komunat ku ende nuk janë zyrtarizuar kandidaturat do të finalizojnë propozimet përkatëse, në funksion të përmbylljes së hartës zgjedhore të AAK-së në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Procesi është duke u zhvilluar me ritëm të mirë në shumicën e komunave, duke reflektuar përkushtimin e strukturave tona në ndërtimin e një oferte serioze dhe konkurruese për qytetarët në zgjedhjet e tetorit”, ka njoftuar AAK-ja.