Abdixhiku godet Konjufcën: Po të kishte dinjitet s’do ta merrte këtë mandat fare (video)

11 nëntor 2025 | 22:20

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar faktin se Glauk Konjufca e pranoi mandatin e formimit të qeverisë.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se po të kishte dinjitet Konjufca, nuk do ta pranonte mandatin fare.

“Ky është kalkulim për datën e zgjedhjeve. Po të kishte Konjufca minimalisht dinjitet, për të cilin unë kam besuar se e ka, nuk do ta merrte mandatin fare. Ose po ta merrte mandatin sa për të kënaqur organet e partisë, dhe të nesërmen të dilte të deklaronte se s’ka shumicë, rrjedhimisht Presidente e nderur na cakto datën e zgjedhjeve sepse s’kam ndërmend t’i humb Kosovës 15 ditë kohë”, tha kreu i LDK-së.

Ai shtoi se nuk mund të sillesh sikur po shqetësohesh se ka krizë buxhetore, e në anën tjetër të shtysh këtë proces për 15 ditë.

“Nuk mundesh në një anë të thuash ka krizë buxhetore, e në anën tjetër të na shtysh 15 ditë këtë proces për kalkulim elektoral. Ose je kalkulues për datë, e që është rasti, ose je naiv. Unë Konjufcën nuk e njoh si naiv, por tani po e njoh si një kalklulim elektoral. Ai don të kalkulojë dhe të harxhojë 15 ditë”, deklaroi Abdixhiku. /Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, ka reaguar pas…