
Abdixhiku pas takimit me Lajçakun: Kosovës i duhet marrëveshje me njohje të ndërsjellë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka biseduar për procesin e dialogut dhe propozimin evropian.
Abdixhiku ka treguar se i ka thënë Lajçakut se LDK-ja mbështet procesin e dialogut dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar sqarime nga Lajçaku në lidhje me dy nene të planit evropian.
“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces. LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës. Në takim, z. Lajçak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.