
Abdixhiku pas takimit: Presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i përsëriti qëndrimet e njohura të partisë së tij dhe bëri thirrje për votim të hapur për kryeparlamentar.
“Kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë për çështjen e votimit. Para së gjithash, ai është i qartë sa i përket zgjidhjes së problemit, pra i takon partisë së parë, deputetit Kurti, të propozojë dhe të krijojë shumicën parlamentare”, tha ai.
Megjithatë, Abdixhiku tregoi se LDK nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj në lidhje me votimin, duke thënë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
“Partia e parë duhet të propozojë dhe sigurojë shumicën për kandidatin e vet. LDK-ja nuk ka çështje të emrave lidhur me kandidatin, LDK-ja ka qëndrim parimor dhe me plot zemër, me plot bindje dëshiron të votojë kundër kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi ai.
Ai tha se pret që zgjidhja të bëhet përmes “insistimit për shumicë politike” dhe përmes respektimit të procedurave kushtetuese, të cilat “tashmë janë edhe rregulla ligjore”.
“Le të presim takimet e tjera, ftojmë për konsensus, ftojmë për unitet, aq shumë e duam unitetin saqë kemi dalë me praponim për qeveri të unitetit”, tha ai.