Abdixhiku refuzon dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Obiliq

10 nëntor 2025 | 19:19

“Kam refuzuar sot dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Obiliq. Humbjet, sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, ku qëllimi i përbashkët është gjithmonë më i madh se çdo betejë e vetme”, ka njoftuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Facebook.

Ai ka theksuar se katër vite më parë LDK në Obiliq ishte një parti me vetëm 10%.

“Gjatë rrugës u bashkuam me Xhafer Gashin, por nuk arritem bashkë ta bashkojmë shumicën e Obiliqit me ne. Gjithsesi, sot LDK në Obiliq është parti e parë me plot 46% dhe kjo arritje është meritë vetëm e Xhafës dhe ekipit që ai ka”.

“Xhaferi është një prej njerëzve që nuk dorëzohet para vështirësive. Ai është njeri i fjalës, i punës dhe i përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij. Në këto vite, ai i ka dhënë Obiliqit drejtim, dinjitet dhe stabilitet; në një komunë që ka parë shumë sfida. Sot, më shumë se kurrë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për njerëz të tillë, me karakter, me vizion dhe me besim në vlera”, ka shkruar Abdixhiku.

“Prandaj, e kam rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degë të Obiliqit, ashtue dhe në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm. Sepse LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, LDK di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet”.

“Ky është një mesazh për çdo aktivist, çdo kandidat e çdo qytetar që beson në punë e në dinjitet: ne nuk matemi vetëm me një garë, por me qëndrueshmëri. Me besim në njëri-tjetrin. Me përkushtim ndaj Kosovës që duam ta ndërtojmë. LDK qëndron. Dhe bashkë me të, qëndron edhe Xhafer Gashi, në të gjitha sfidat përpara; si simbol i qëndrueshmërisë, i besnikërisë dhe i misionit tonë të përbashkët”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artan Behrami ka reaguar ashpër për procesin zgjedhor në Mitrovicë,…