
Abuzim me pushtetin dhe përgjegjësinë shtetërore
Shkruan: Hisen Berisha
Deklaratat e fundit të Presidentes janë një rrëshqitje e rrezikshme politike dhe institucionale, që e zhysin edhe më thellë në baltën e papërgjegjësisë dhe arbitraritetit.
Në konferencën për shtyp ajo akuzoi gazetarët si bashkëpunëtorë të Serbisë dhe të Radojçiqit, duke thënë se këtë e ka mësuar gjatë hetimeve kundër tij. Madje shtoi edhe frazën fyese se “disa e dinë mirë kush janë, sepse e kanë mizën pas veshit”.
Por çka di Presidentja më shumë se prokuroria?
Nëse ajo posedon informata të tilla, është e obliguar t’i bëjë publike dhe t’i dorëzojë te organet e drejtësisë. Përndryshe, bëhet pjesë e krimit përmes heshtjes.
Nëse bashkë me ministrin e brendshëm Sveçla kanë nxjerrë të dhëna nga hetimet, apo nga informatat që ua ka servuar Agjencia e Inteligjencës, atëherë të dy duhet të mbajnë përgjegjësi për shkelje të ligjit, qoftë për nxjerrje të informatave sekrete që dëmtojnë hetimet, qoftë për mosveprim nëse kanë ditur dhe nuk kanë reaguar me kohë.
Një tjetër shkarje e papranueshme ishte deklarata e saj se përveç kushteve infrastrukturore e higjenës në shkolla, “vajzat e saj janë ndjerë të pasigurta në shkollë, për shkak të përdorimit të drogës, thikave dhe armëve nga nxënësit”.
Nëse ajo ka pasur dijeni për këtë gjendje, pse ka heshtur deri më tani?
Si Presidente ka fuqinë kushtetuese të ndërmarrë iniciativa ligjore dhe të kërkojë masa të menjëhershme për mbrojtjen e shkollave dhe nxënësve.
Por në vend të kësaj, ajo pranoi publikisht se fëmijët e saj kanë qenë të mbrojtur nga policia. Pra, policia ka ruajtur vajzat e Presidentes, por jo fëmijët e tjerë të Kosovës. Ky është abuzim i pastër me pushtetin dhe përgjegjësinë shtetërore, një akt i qartë i privilegjimit personal mbi interesin publik.
Presidentja nuk është qytetare e zakonshme që mund të ankohet si gjithë të tjerët, e as opozitare që bën politikë nga jashtë institucioneve.
Ajo është Presidente tash e pesë vjet, me detyrimin kushtetues që të jetë garantuese e barazisë, sigurisë dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Çfarë papërgjegjësie dhe çfarë vogëlsie është të mendosh vetëm për familjen tënde, duke harruar se je Presidente e të gjithëve. Po mijëra fëmijë të prindërve të tjerë që rriten dhe arsimohen në ato shkolla, a nuk duhet të jenë brengë e saj? Kjo tregon qartë një egoizëm të sëmurë dhe një mentalitet të rrezikshëm të kësaj monstrume politike.
Dinjiteti i popullit matet me mënyrën se si pushtetarët i trajtojnë qytetarët dhe si qytetarët i gjykojnë udhëheqësit e vet. Fatkeqësisht, Kosova sot po mbahet peng nga individë që çdo ditë shkelin kushtetutën dhe moralin shoqëror, duke keqpërdorur zyrët shtetërore për retorikë mashtruese dhe të padenjë.
Një Presidente që flet me gjuhën e baltës, që shpif kundër mediave, që shfrytëzon policinë për mbrojtjen e familjes së vet e jo për sigurinë e fëmijëve të të gjithëve, e ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik.
Sot është e domosdoshme të marrim shembuj të afërt se si duhet trajtuar pushtetarët kur shkelet dinjiteti i popullit, duke mos toleruar më udhëheqës të pandërgjegjshëm dhe të padenjë.
Sot është koha që nxënësit bashkë me prindër – të protestojnë para shkollave të të gjitha niveleve për kushtet e mësimit dhe pasigurinë në shkolla, të frymëzuar pikërisht nga vetë deklaratat e Presidentes dhe nga shembulli i fëmijëve të saj.
Deri kur, me heshtjen tonë, do t’i lëmë recidivistët e shkeljes së kushtetutës dhe dinjitetit të popullit të qëndrojnë në krye të shtetit?