Adem Demaçi, vlerë madhore e UÇK-së

23 shkurt 2018 | 11:25

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (11)

231. Sabile Keçmezi-Basha, punëtore Shkencore e Institutit të Historisë së Kosovës “Ali Hadri”: Të mësojmë nga shembulli i Adem Demaçit
Të nxjerrim mësime të rëndësishme nga përpjekjet shekullore të popullit tonë, të marrim shembull nga Bacë Adem Demaçi dhe të ngremë lartë vlerat tona kombëtare e njerëzore, kodin tonë të lartë etik e moral.

232. Sabit Ratkoceri, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Për Adem Demaçin ishte rezervuar dënimi kapital
Në vitin 1964, si anëtarë të organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, Gjykata e Qarkut e Prishtinës na ka gjykuar me këto dënime: Adem Demaçi 15 vjet burgim të rëndë, Sabit Ratkoceri 11 vjet burgim të rëndë, Hazir Shala 13 vjet burgim të rëndë, Selahudin Daci 10 vjet burgim të rëndë, Azem Beqiri 10 vjet burgim të rëndë, Abdyl Lahu 10 vjet burgim të rëndë, Ahmet Haxhiu 10 vjet burgim të rëndë, Xhafer Mahmutxhikun 11 vjet burgim të rëndë, Dibran Bajraktari 13 vjet burgim të rëndë, Sabri Novosella 9 vjet burgim të rëndë, Tefik Sahiti 9 vjet burgim të rëndë dhe Njazi Straja 9 vjet burgim të rëndë.

233. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës “Ali Hadri”: Adem Demaçi synonte të ngrihte urat e mirëkuptimit
Si te rrallëkush, që kishte vuajtur aq shumë, asnjë mëri, urrejtje e hakmarrje, nuk u vu re te Adem Demaçi, për askënd, as për serbët… Synonte t’i ngrehte urat e mirëkuptimit, si të vetmet që do të evropianizonin vërtet e përfundimisht Ballkanin.

234. Sabri Kiçmari, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi nuk dëshiron ta luaj rolin e heroit
Adem Demaçi nuk dëshiron ta luaj rolin e heroit. Pikërisht kjo sjellje ia shton edhe më shumë madhështinë prej heroi, deshi apo nuk deshi ai, e pranoi apo nuk e pranoi ai. Ai është hero i gjallë. Është hero i lirisë, i ndërgjegjes, i drejtësisë, i pavarësisë, i kombit. Ai është legjendë e gjallë.

235. Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik i Prishtinës: Adem Demaçi, atdhetar dhe politikan i mirëfilltë
Adem Demaçi, atdhetar dhe politikan i mirëfilltë, i kishte këputur të gjitha lidhjet me muzat, krejt papritmas, befasisht, paraqitet romani i tij i ri “Libër për Vet Mohimin”. Ky roman, brenda një kohe relativisht të shkurtër, është përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja.

236. Sadri Ramabaja, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi si dy krahë të shqipes
Në rrethana të vështira historike në skenën politike shqiptare, na paraqiten dy organizata, si dy krahë të shqipes dhe dy liderë që do të shihen e njihen për herë të parë në Burgun e Nishit. Fjalën e kam për “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, në krye të së cilës do të vihej Adem Demaçi dhe “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, në krye të së cilës ishte Metush Krasniqi, një pasues i denjë dhe kuptimplotë i Hasan Prishtinës.

237. Salajdin Salihu, profesor në Universitetin e Tetovës: Adem Demaçi nuk pranoi të ishte pjesë e inteligjencës shtetërore
Adem Demaçi nuk zgjodhi heshtjen, por rebelimin kundrejt një sistemi të gënjeshtërt shoqëror dhe politik. Ai nuk pranoi të ishte pjesë e inteligjencës shtetërore. Nuk pranoi pjesëmarrjen në një botë hipokrite: ku duhej që të shkruaje atë që s’e mendoje dhe të mendoje atë që kishe frikë ta shkruaje.

238. Sali Bytyçi, punëtor Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës: Për Adem Demaçin poetët kanë shkruar poezi më shumë se gjysmë shekulli
Si personaliteti më i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë në pjesën e dytë të shekullit njëzetë, Adem Demaçi është epitetizuar, personifikuar dhe simbolizuar në vargje, por edhe është kthyer në mit më shumë se çdo personalitet tjetër, i çdo fushe. Për dekada me radhë, poet të njohur e anonim, të vjetër e të rinj, kanë krijuar vargje për Bacën, për simbolin e rezistencës shqiptare për më shumë se gjysmë shekulli në ish-Jugosllavi.

239. Sali Kabashi, publicist: Adem Demaçi është legjendë
Adem Demaçi, njeriu me stazh burgimi më të gjatë në botë, nuk është e nevojshme ta paraqesim në ndonjë mënyrë të posaçme. Adem Demaçi është legjendë.

240. Sami Dërmaku, i gjykuar së bashku me Adem Demaçin në burgun e tretë, në vitin 1975: Adem Demaçi, vullkan i pashuar
Adem Demaçi ishte flamurtar-Flamur, që frymëzoi të gjitha gjeneratat patriotike të Lëvizjes Ilegale. Me emrin e Adem Demaçit shkohej edhe deri në vdekje për idealin e madh të lirisë. Adem Demaçi dinamik, Adem Demaçi i befasueshëm, Adem Demaçi vullkan i pashuar, Adem Demaçi është ai që shkatërroi themelet e regjimit diktatorial serbo-jugosllav.

241. Sefedin Fetiu, shkrimtar: Adem Demaçi, shembull ekzemplar i pajtimit të plotë të aktit jetësor me veprën artistike
Shembulli më ekzemplar, rasti më unik në letërsinë tonë e krejt i rrallë në letërsinë e përbotshme sa i përket dukurisë së përputhjes, shkrirjes, të pajtimit të plotë të aktit jetësor me veprën artistike, është shkrimtari ynë i mirënjohur, autori martir, i çmuar dhe i adhuruar – Adem Demaçi.

242. Sejdi Gega, veprimtar i çështjes kombëtare: UDB-ja nuk arriti ta vras e ta heshtë zërin e Adem Demaçit
Edhe pas shumë burgosjeve dhe dënimeve të gjata, UDB-ja nuk arriti ta vras e ta heshtë zërin e Adem Demaçit që nuk ishte tjetër pos “Zëri i Kosovës” – zëri i shqiptarëve. Kështu, Adem Demaçi dhe “Zëri i Kosovës” do të bëhen burim i pashtershëm frymëzimi dhe inspirimi për të gjitha gjeneratat.

243. Selatin Novosella, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi, njeriu më me fat në historinë e Kosovës
Adem Demaçi u lind në kohën e Aleksandër Karagjorgjeviqit (1936); filloi veprimtarinë atdhetare në kohën e Aleksandër Rankoviqit (1958); arriti kulmin e veprimtarisë në kohën e Josip Broz Titos (1964) dhe përfundoi me çlirimin e Kosovës në kohën e Slobodan Milosheviqit (1999). Një rrugë të tillë jetësore dhe një fat të tillë rrallëkush e ka në historinë tonë kombëtare.

244. Selatin Novosella, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi, kampion i burgjeve të Jugosllavisë
Adem Demaçi është dënuar tri herë për veprimtari atdhetare – politike nga pushteti jugosllav. Herën e parë, në vitin 1958, është dënuar 5 vite burgim të rëndë, herën e dytë në vitin 1964 është dënuar 15 vite burgim të rëndë dhe, herën e tretë, në vitin 1975, po ashtu, është dënuar 15 vite burgim të rëndë. Nga 35 vite sa është dënuar i ka vuajtur 28 vite burgim, prej tyre mbi 4 vite i ka vuajtur në vetmi të plotë.

245. Selman Hoxha: Adem Demaçi flet edhe kur hesht
Adem Demaçi nuk ka nevojë për mbrojtje dhe avokat. Ai vetë është gjallë dhe i fortë. Ai flet edhe kur hesht. Jeta dhe vepra e tij jetësore janë libër i hapur për të gjithë ata që duan ta njohin dhe kuptojnë të vërtetën.

246. Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit: Adem Demaçi ka thënë: “Unë bëra vetëm punën time”
Ne duhet t’iu jemi mirënjohës Adem Demaçit dhe të gjithë atyre që vuajtën nëpër dhomat e hetuesisë së UDB-së jugosllave, të gjithë atyre që kaluan vitet më të mira të jetës nëpër qelitë e burgjeve serbe. Adem Demaçi dhe të gjithë ata që me vetëdije i hynë rrugës së vetëflijimit për atdhe, do të thonë me modestinë e tyre: Ne e bëmë vetëm punën tonë!

247. Steven Erlanger: Adem Demaçi kaloi 28 vjet burg për besimin e tij të zjarrtë për pavarësinë e Kosovës
Adem Demaçi, shpesh i quajtur Nelson Mendela i Kosovës, ka gjetur një lloj të qetësisë dhe moderimit të njëjtë, duke i nxitur bashkëkombësit e tij shqiptarë të përdorin dhuratën e tyre të papritur të lirisë për të ndërtuar një shoqëri të civilizuar në Kosovë. Zoti Demaçi ka shpenzuar më shumë se 28 nga 64 vitet e tij në burgjet Jugosllave për besimin e tij të zjarrtë në pavarësinë e Kosovës.

248. Sylë Arifi, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, vlerë madhore e UÇK-së
Adem Demaçi si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndër autoritetet më të vlerësuara jo vetëm të përmasave kombëtare por edhe të atyre ndërkombëtare. Sakrificat, vuajtjet dhe përpjekjet e tij titanike, pa dyshim, e ndihmuan fuqishëm çlirimin dhe formimin e shtetit të Kosovës. Demaçi është vlerë madhore e UÇK-së dhe e luftës sonë çlirimtare. Adem Demaçi është emblemë e shqiptarizmës. Ai, për shqiptarët, ka qenë dhe ka mbetur alfa dhe omega se si duhet dashur atdheu dhe si duhet sakrifikuar për të. Burgosja 28-vjeçare e Adem Demaçit nuk ishte vetëm skemë e skenarëve të UDB-së, por edhe e elitës shqipfolëse në sistemin sllavo-komunist.

249. Sylë Ukshini, ambasador i Kosovës në Shqipëri: Me Adem Demaçi Përfaqësues Politik i UÇK-së, u manifestua një akceptancë më e madhe politike në Evropën Perëndimore
Me ardhjen e Adem Demaçit në postin e Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe me fillimin e ristrukturimit të brendshëm të UÇK-së, dhe si rrjedhim i fleksibilitetit të saj politik, ndaj kryengritësve dhe luftës së tyre u manifestua një akceptancë më e madhe në kancelaritë europerëndimore.

250. Sylejman Selimi, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçi, frymëzues dhe ideolog i lirisë
Natyrshëm Adem Demaçi reflekton një jetë të tërë të luftës për liri dhe barazi kombëtare e njerëzore. Jam krenar që po jetoj në kohën e Adem Demaçit, frymëzuesit dhe ideologut të lirisë dhe të qëndresës kombëtare.

252. Shaip Beqiri, shkrimtar: Adem Demaçi, prijësi i përjetshëm i bashkimit kombëtar
Udhën që kishte nisur i vetëm prijësi i përjetshëm, Adem Demaçi, i cili idenë e lirisë dhe të bashkimit kombëtar e ngriti më lartë se askush tjetër në gjithë historinë tonë, do të mbeteshin gjithmonë aq shumë pjesëtarë të tjerë, pa u ndalur kurrë, pas flamurit që kishte ngritur Adem Demaçi.

253. Shefik Shkodra, shkrimtar: Adem Demaçi, personalitet frymëzues
Adem Demaçi, një personalitet frymëzues i gati të gjithë breznive deri më sot, pa ia numëruar të gjitha vuajtjet, kapërcimet e tyre nëpër kohë, si dhe vetitë e tij prej njeriu të formuar, ai vlen të emërohet president i Kosovës me një konsensus të partive dhe personaliteteve të vendit. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka…