Ademi – Thaçi diskutojnë për zhvillimin e futbollit dhe Kampin e të Rinjve në Obiliq
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
Ademi ka njoftuar në rrjetet sociale se gjatë këtij takimi zhvilluan një diskutim të detajuar dhe konstruktiv lidhur me Kampin e të Rinjve në Obiliq, projekt i realizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, e që përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit, veçanërisht për grupmoshat e reja.
“Po ashtu, trajtuam edhe projektet tjera zhvillimore në fushën e futbollit në këtë komunë, me fokus të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës sportive, krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në aktivitete të futbollit”.
“Shprehëm gatishmërinë e ndërsjellë për bashkëpunim institucional dhe koordinim të vazhdueshëm, në funksion të avancimit të futbollit në Komunën e Obiliqit, si dhe për vazhdimin e mbështetjes ndaj projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e të rinjve dhe forcimin e strukturave sportive lokale”, ka shkruar Ademi në Facebook.



