‘Afatet po harxhohen’, Maliqi: Me gjasë emisarët e dialogut kanë ardhur me ultimatum
Politologu Agon Maliqi, ka bërë me dije pesëshja diplomatike që ka vizituar Kosovën dhe Serbinë të shtunën ka sjell një ultimatum për zbatim të marrëveshjes.
Ai ka thënë se sipas të gjitha gjasave propozimi i emisarëve nuk është i hapur për komentet e palëve.
Në një prononcim për “Radon Evropa e Lirë”, Maliqi ka thënë se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes po harxhohen.
“Me gjasë (emisarët perëndimorë) kanë ardhur me një ultimatum mbi sekuencën dhe hapat se si do të shkohet deri te zbatimi (i marrëveshjes). Propozimi, me gjasë, nuk është i hapur për komentet e palëve, por më shumë është si dokument ose si një sekuencë e formës ‘pranoje ose lëre’. Kjo duket qartë, për shkak se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes, po harxhohen”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se diplomatët perëndimor do të kenë kërkesa edhe për situatën në veri.
“Në lidhje me zhvillimet në veri, gjithsesi duhet të ketë dhe besoj se do të ketë (kërkesa nga emisarët perëndimorë), qoftë në formën e kushtëzimeve për Serbinë në rrugën e saj integruese, apo edhe ndonjë propozim konkret se çka pritet prej Serbisë në kuptimin e marrjes së masave ndaj grupit (të armatosur). Kjo besoj se është shumë e nevojshme që të krijohet një lloj fryme e parandalimit të çfarëdo përpjekjeje të ardhshme për destabilizim”, është shprehur Maliqi.



