Aferim, ministër Bytyçi!

15 janar 2018 | 11:15

Fadil Maloku

Na duhet një reformë e thellë universitare që ta rrisim kualitetin e arsimit. “Të gjithë studentët duhet t’i nënshtrohen provimit shtetëror në momentin kur e përfundojnë një program të caktuar në një fakultet të caktuar”.

Studentët e Kosovës, për gjykimin tim sociologjik, do të duhej të bëhen jo objekt, por subjekt kryesor kreativ, në procesin e reformimit të universiteteve “kërpudha”. Në përvojën time pedagogjike, sidomos në atë të një vrojtuesi e kërkuesi shkencor empirik, kam kuptuar dhe dëshmuar pragmatisht se studentët tanë ende kanë rezerva të paarsyeshme, kur është fjala e “instalimit” të subjektivitetit të tyre në procesin e arsimimit të lartë.

Dhe duke u bazuar në këta parametra empirikë e pragmatikë, si dhe përvojën sime praktike me studentët, kam bindjen se për t’u reformuar ky nivel i shkollimit, duhen të gjeturat shkencore që të adresohen edhe publikisht. Dhe këto të gjetura janë:

1. Studentët duhet të arrijnë dije dhe shkathtësi konkurrente për tregun e brendshëm të punës, dhe në bazë të afiniteteve të tyre për kërkim shkencor apo punë profesionale në ekonomi, shërbime publike dhe gjithë institucionet e tjera të shoqërisë, të aftësohen me kurrikula adekuate.

2. Studentët duhet të ndihmohen në përzgjedhjen, akomodimin si dhe ndërtimin e karrierës së tyre ekskluzivisht në bazë të prirjeve dhe një seleksionim me kritere ekskluzive shkencore, në mënyrë që ta ndalojmë hiperproduksionin evident që po prodhon analfabetë modernë.

3. Stafi i ngushtë i rektoratit do të duhej të angazhohet për krijimin e një fondi për dhënien e bursave shtesë për studentë të jashtëzakonshëm, në mënyrë që ata të jenë në koherencë me zhvillimet e reja teknologjike… E jo t’i zvogëlojnë, ashtu siç vepruan këto ditë, ku u dashtë intervenimi i ministrit Bytyçi.

4. Studentëve duhet mundësuar lehtësimin e marrjes së vizave, në mënyrë që ata të kenë qasje dhe mundësi t’i shkëmbejnë përvojat me kolegët e tyre perëndimorë… Kjo ide akademike evropiane është në përputhje edhe me vizionin e Deklaratës së Bolonjës, por që nuk është shfrytëzuar maksimalisht gjerë më tani.

5. Studentët do të stimulohen që prioritet për interesimin e tyre ta kenë cilësinë e mësimit, kushtet e mësimit dhe suksesin në studime duke vlerësuar rezultatet e veta dhe mësimdhënien si një nga autputet e rëndësishme për përmirësimin e qeverisjes në universitet.

6. Studentët duhet të “kujdestarojnë” për largimin definitiv të politikës nga universitetet. Ata duhet ta ruajnë neutralitetin politik në rast se e dëshirojnë një universitet profesional e apolitik.

7. Studentët, pastaj, përmes programeve të ndryshme sociale, duhet të përkujdesen për ngritjen e përgjegjësisë për mësim sistematik, pjesëmarrje në ligjërata, ushtrime, seminare debate publike etj.

8. UP-ja duhet t’i marrë përgjegjësit e veta dhe të fillojë (sa më shpejt) hartimin e një plani të detajuar studimesh për minoritetet në rast se dëshiron të kultivojë kritere dhe standarde si universitetet evropiane. Kështu ajo do ta përgatitë UP-në për kushtëzimet që tashmë janë në horizont nga BE-ja.

9. UP-ja duhet të sigurojë që tash një lëvizshmëri të mësimdhënësve dhe studentëve në vijën horizontale, ku do të bëhet kyçja në rrjetat dhe programet shkencore të mobilitetit evropian.

10. UP-ja duhet ta rrisë shumë më shumë koperativitetin midis studentëve tanë dhe atyre evropianë, përmes programeve të ndryshme siç janë: Sokrates dhe Erasmus, që u jepen vendeve në tranzicion.

11. UP-ja, së fundi, duhet të organizojë një studim empirik, ku do të përcilleshin të gjitha programet studimore.

Për këtë qëllim do të duhej të organizon tri tipa evaluimesh; a). përcjellja e studimeve sistematike të studentëve të UP-së; b). anketimi i studentëve pas përfundimit të studimeve bachelor; c). anketimi i studentëve që tashmë kanë filluar të bëjnë karrierë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, gjatë kohës së luftës, William…