Afrim Mehmeti tregon për natën kritike të 2 shtatorit të vitit 1987 (8)

24 janar 2021 | 13:21

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie (8)

Shkruan: Lulzim Sahiti

Pas një ore i njëjti komandant, Alibashiq, erdhi me vonesë dhe më informoi për vrasjet në kazermë të cilën e kishte bërë Aziz Kelmendi. Edhe pse më kishte kaluar afati i rojës aty, të përforcuar edhe me një ushtar, më lanë deri në mëngjes. Kah ora 6:00 e mëngjesit, kur shkova në kazermë, sërish më caktuan që të bëja rojë në dhomat ku paraprakisht ishin vrarë ushtarët. Aty pashë kufomat, pashë gjakun, pashë krevatet të cilët ishin të shpartalluar, pashë krevatin tim mbi të cilin ishte gjuajtur mirëpo, për fat, unë nuk kam qenë aty. Menjëherë pas kryerjes së rojës filluan të më marrin në pyetje. Edhe kryenim detyrat ushtarake edhe na merrnin në pyetje. Pyetjet ishin sistematike dhe në pyetje i merrnin të gjithë ushtarët. Në pyetje fillimisht nuk “dyshonin në lidhshmërinë tonë”, por pyesnin gjithçka: Çfarë kemi parë, çfarë kemi dëgjuar…

Afrim Mehmeti nga Firaja e Shtërpcës më 13 maj të vitit 1997 ka përfunduar vuajtjen e dënimit dhe është liruar nga Burgu i Nishit. Ai përndryshe ishte në një dhomë me Aziz Kelmendin dhe për natën kritike tregon: “Në mbrëmjen e 2 shtatorit të vitit 1987, rreth orës 21:30, në korridorin e pavijonit apo katit të parë të pavijonit, në tavolinën ku bëhej kujdestaria, unë bashkë me Aziz Kelmendin, Enver Behlulin… qëndruam për një periudhë të shkurtër, deri sa bëheshim gati për të fjetur. Këto ndeja të rastit bëheshin shpesh nga ushtarët shqiptarë duke diskutuar shpesh, temat aktuale të asaj kohe. Ajo që më kujtohet është se së bashku me Azizin kemi hy në të njëjtën dhomë për të bërë gjumin dhe mbajë në mend se dikush Azizit i ka thënë se sonte je në shërbim të kujdestarisë dhe Azizi ka bërë një reagim për këtë caktim të tij në këtë shërbim, por jo ndonjë reagim kategorik, vetëm duke i thënë pse më keni caktuar në shërbim të kujdestarisë. Sipas praktikave, caktimi në detyrë bëhej për çdo ditë në rreshtimin e mëngjesit, por ka pas raste të ndryshimeve edhe në rastet e më hershme për shkak të problemeve shëndetësore që u ndodhnin ushtarëve gjatë ngarkim-shkarkimit të municionit. Ka qenë një punë shumë e rëndë, të gjitha llojet e peshave të municionit bëheshin me krah, nuk ka pas mekanizëm.

Pas mesnatës, më 3 shtator 1987, rreth orës tre të mëngjesit isha në shtratin e gjumit dhe për një çast ma nxorën gjumin disa krisma nga thyerjet e xhamave të dritareve. Njëkohësisht kisha dëgjuar edhe krismat e pushkës. Gjithçka më dukej sikur jam në ëndërr. Për një moment apo instinktivisht kam marrë një pozicion të shtrirjes nën shtrat për t’u mbrojtur. Këtë veprim e kam bërë, se kisha një ndjenjë se po sulmohemi nga ana e dritareve. Ka qenë pothuajse një minutë kohë kur unë kam dëgjuar zhurmën e ushtarëve në pavijon dhe kam dalë në korridor. Porsa hapa derën, në krye të shkallëve, të cilat ishin shumë afër dhomës së gjumit ku kishim fjetur unë dhe Azizi, kam parë disa ushtarë duke lëvizur vërdallë. Pothuajse të gjithë ishin të çorientuar. Menjëherë më ra në sy një ushtar mysliman-boshnjak, Nexhid Mehmedoviq, i plagosur rëndë në njërën këmbë. Ishte ulur duke ulëritur për dhimbjet që kishte. M’u drejtua me disa fjalë, po as sot nuk kam mbajtur në mend çfarë më tha. Për një moment e kuptova se kishte diçka kundër meje dhe u bëra sikur nuk e kuptova. Në ato çaste një ushtar maqedonas, Zvonko Zatkovski, me të cilin deri në ato çaste kishim raporte të mira, m’u drejtua: “Ai vendasi (zemljaku) yt Azizi ka vrarë shumë ushtarë dhe ka ikur. Dhe po ta nxëmë kemi me gozhduar në mur!” Unë vetëm dëgjoja dhe për të gjithë shqiptarët ishte një moment i trishtueshëm nga frika e ndonjë hakmarrje. Secili na shikonte me një gjuhë tjetër të urrejtjes. Mbaj në mend se kur takoja secilin ushtar shqiptar, i thoshim njëri-tjetrit se tani e tutje mund ta kemi vështirë dhe mendonim veç për mbrojtje. Në ato çaste e gjithë kazerma ishte në alarm apo, më mirë të thuhet, në një situatë të veprimeve të çrregullta. Alarmi ishte se Azizi është i armatosur dhe mund të ketë sulme të tjera.

Të jemi realë, të gjithë ne shqiptarët që komunikonim në mes vete i thoshim njëri-tjetrit, shpresojmë që Azizin të mos e zënë të gjallë. Kjo përshtypje ishte për shkak se në sytë e secilit ushtar joshqiptar u kuptua, se jo vetëm Azizi, por të gjithë ne mund të pësonim në të njëjtën mënyrë të vrasjes apo ekzekutimit. Të kuptohemi, në kazermë mbretëronte një situatë e rëndë dhe e nderë.

Për një kohë të shkurtër në kazermë kanë arritur shumë eprorë ushtarakë. Nga të parët që më ka takuar ka qenë një oficer (nuk mbaj në mend emrin) se nuk ishte oficer i njësisë time dhe e kam kuptuar se, përveç shërbimit të zakonshëm, kishte qenë edhe në shërbim informativ ushtarak.

Këtë e kuptova pasi ai filloi të më marrë menjëherë në pyetje. Pyetjet ishin kryesisht të natyrës së shoqërimit tim me Azizin. Pastaj më urdhëroi të futem në dhomën e gjumit, ku m’i dha disa letra të shkruara të Azizit. Letra që Azizi kishte pasur nga shoqëria dhe familja. Pasi përktheva dy apo tri letra në gjuhën serbe, pas një ore më tha të ndërprisja. Për një moment erdhi lajmi se Azizi ishte vrarë apo vetëvrarë, qarkullonin të dy variantet. Këto informata qarkullonin nga ushtarët e pranishëm por, jozyrtarisht. Për një kohë shumë të shkurtër u përhap lajmi se në kazermë gjenden edhe prindërit e Azizit, nëna Salë dhe axha Sadik. Unë nuk besoja për një moment, por që kishte qenë e vërtetë, sepse i pashë edhe vetë. Se si ka shkuar puna me prindërit e Azizit nuk kam qenë më në ngjarje. Sepse shumë nga oficerët më merrnin në pyetje dhe nuk e kam parë më ngjarjen se si zhvillohej. Por për një moment kur isha duke u marrë në pyetje, hyri brenda zyrës një oficer dhe po i thotë  na duhet Afrimi që ta identifikojë Azizin. Edhe pse më vonë e kuptova se po të njëjtën gjë e kishin bërë edhe me prindërit e Azizit. Por edhe unë shkova, me mua erdhën edhe tre oficerë që unë nuk i njihja. Nuk ishin oficerë të kazermës që ne kishim shërbyer. E shpalosën të ndjerin. Unë e identifikova menjëherë se ishte vetë Azizi. Më kujtohet se derisa e pashë Azizin, të gjithë këta oficerë ishin duke më shikuar mua. Unë pohova se është Azizi. Njëri nga oficerët më është drejtuar: “Si po e njeh kaq shpejt? Ndërhyri njëri nga ata duke i thanë: ‘Se ky është shoku i ngushtë i tij’. U larguam pa bërë zë, në drejtim të të njëjtës zyrë që isha duke u pyetur për rastin.

Pajazit Aliu nga Pakashtica e Epërme e Podujevës: Në orën 3 e 05 minuta, në dhomën ku isha duke fjetur në gjumë të thellë, janë dëgjuar krismat e automatikut, të cilat më zgjuan nga gjumi. Porsa hapa sytë, më shkuan kah dera e dhomës. I përgjumur vërejta një figurë të njeriut që gjuante nëpër ushtarë. Atëherë kam dëgjuar britma të ushtarëve të tmerruar. Në ato çaste, të plagosur për vdekje kam parë Safet Dudakoviqin, shtrirë në krevat dhe e kam dëgjuar kur ka thënë:“Bëhet mirë” (Biće bolje). Po në atë moment kam vërejtur Srgjan Simiqin që ishte i shtrirë ndërmjet shtretërve dhe kokën e kishte të mbështetur për ormani (kasetë). Jam nis prej derës e drejt te Goran Begiqi dhe e pashë se edhe ky ishte i vdekur. Të gjithë ushtarët ishin në këmbë duke bërtitur ndihmë. Në ato çaste jam kthyer drejt shtratit tim dhe i kam thanë Shefqet Paçarizit të m’i japë teshat nga ormani t’i vesh se ai ishte duke u veshur. M’i gjuajti teshat e mia mbi krevat. Jam veshur dhe jam nisur me Shefqetin në drejtim të derës së dhomës. E kam vërejtur të plagosur Ante Jazhiqin që përpiqeshin ta shtrinin në krevat. Në dhomën tonë ishte plagosur edhe Nexhid  Mehmedoviq. Unë nga dhoma numër 42 kam dalë në korridor duke mos ditur se çfarë ka ndodhur në dhomën numër 41. Porsa dola në korridor nuk gjeta askënd. Jam kthyer sërish në dhomë dhe u kam thënë të pranishmëve se në korridor nuk ishte askush. Menjëherë ushtarët kanë filluar të dalin nga dhoma. Atëherë u njoftuam se ka të vrarë dhe të plagosur edhe në dhomën tjetër. Kam hyrë në dhomën tjetër dhe kam vërejtur se është i vrarë Hasim Gjananoviq dhe tre të tjerë ishin të plagosur: Huso Kovaçeviq, Andrej Presheren dhe Petar Gjekiq, kurse nga dritarja e dhomës kishte kërcyer Nazif Axhoviq, shqiptar nga Mali i Zi.

Ndërkohë i kanë marrë të plagosurit me autoambulancë për t’i dërguar në Spitalin Ushtarak të Nishit. Më vonë na kanë thënë të gjithë ushtarët të bëhen rresht dhe drejt nga pavijoni të shkojnë nëpër klasë. Dolën të gjithë dhe secili hynte në klasat e veta. Në orën 8:00 erdhi lajmi se Aziz Kelmendi ka bërë vetëvrasje. Diku rreth orës 10:00 një helikopter ka aterruar në fushë të sportit në Paraqin. Thuhej se atë ditë nga Beogradi ka ardhur sekretari federativ i Mbrojtjes Popullore, admiral i flotës Branko Mamulla. Rreth orës 12:00 na kanë ftuar të gjithë ushtarëve të shkruajmë nga një deklaratë. Porsa i dorëzuam në zyrë deklaratat, ishte koha e drekës. Pas pak kohe një ushtar më tha, eja se po të thërrasin në raport. Shkova, eprori i sigurimit shtetëror kishte qenë duke më pritur në korridor. Kur hyra me të në zyrë, aty kishin qenë edhe dy eprorë të tjerë, të cilët nuk i njihja. Po më pyesin se çfarë kam shkruar? Fillova të përsëritja me gojë atë çfarë kisha shkruar më parë. Më pas më pyetën: Çfarë ushtari ka qenë Azizi? Ju them: Si çdo ushtar tjetër. Dil jashtë, më thanë. Dola në korridor. Aty kishin qenë Shefqet Paçarizi dhe Afrim Mehmeti, të cilët më thanë të kam kujdes se çfarë po flas. Ndërkaq, pas darke kemi shkuar të gjithë së bashku për t’i dëgjuar lajmet. Shkuam dhe u kthyem, por askush nuk fliste. Atë natë na dërguan të flemë në dy dhoma të tjera. Mua më kishin mbetur edhe dhjetë ditë për ta kryer shërbimin ushtarak. Më 7. 9. 1987 i kanë transferuar të gjithë ushtarët e Paraqinit në kazerma të ndryshme të Jugosllavisë, ku mua më dërguan në Kazermën Ushtarake të Nishit.

Pikërisht në ditën që duhej të udhëtonte për në shtëpi, Pajazit Aliu më 13 shtator të vitit 1987 ishte paraburgosur nga policia ushtarake dhe dërguar në hetuesinë kriminale të Burgut Ushtarak të Nishit. Më 28 janar 1988 Pajaziti në shkallën e parë të Gjyqit Ushtarak të Nishit është dënuar me 10 vjet heqje lirie, kurse më 20 prill 1988 shkalla e dytë e Gjykatës Supreme Ushtarake në Beograd ia ngriti dënimin në 13 vjet burg. Më 24 maj të vitit 1997 ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga Burgu i Nishit.

Isuf Ponik nga Prizreni: Natën kritike kam qenë duke fjetur rreth tri kilometra larg Kazermës Ushtarake të Paraqinit, në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo”. Atje ishim në vendroje të depove të municionit dhe armatimit. Me mua ishin edhe dy shqiptarë: Sejfullah Selimoviq, me detyrë udhëheqës i qenve dhe Feti Zuka që bënte rojë si unë. Pas të shtënave brenda Kazermës “Branko Krsmanoviq” që kishin ndodhur, tek ne kanë dhënë menjëherë alarm duke na vënë të gjithëve në gjendje gatishmërie. Na kanë treguar që Aziz Kelmendi ka sulmuar Kazermën dhe është i armatosur. Mua ma kanë dërguar në vendrojën numër 1. Rreth orës 3 e 40 minuta kam dëgjuar një të shtënë, por nuk e kam ditur se kush ka gjuajtur. Më vonë u kuptua se kjo e shtënë ka qenë nga Aziz Kelmendi, për të cilin thuhej se ka bërë vetëvrasje.

Pas tri-katër dite të “Rastit Paraqini” më kanë transferuar në një kazermë të vogël ushtarake në Nish, ku ushtarët e saj merreshin kryesisht me çështje mjekësore. Atje gjatë shërbimit tim katërmujor më kanë marrë në pyetje vazhdimisht inspektorët e sigurimit ushtarak. Kanë bërë presion të madh psikik në mënyra të ndryshme duke kërkuar nga unë të pranoj se kam ndihmuar Aziz Kelmendin. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luca Toni ka folur për sulmuesit me të mirë aktual…