Agjencia për Privatësi u kërkon mediave ta respektojnë privatësinë e qytetarëve

15 gusht 2025 | 12:34

Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka kërkuar mediave respektimin e detyrimeve ligjore të përcaktuara me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, respektivisht privatësinë e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Agjencia nëpërmjet një reagimi dërguar medieve, thotë se ka pranuar njoftime dhe shqetësime të ngritura nga qytetarët e Republikës së Kosovës, që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, si destinacion të udhëtimeve, për praninë e mediave dhe gazetarëve në hapësirat e Aeroportit dhe publikimin e xhirimeve të realizuara.

“Të respektohet mbrojtja e privatësisë, veçanërisht në situata të ndjeshme personale apo familjare, të shmangën regjistrimet ose publikimet pa marrjen e pëlqimit të qytetarëve, të koordinohen xhirimet apo intervistat me autoritetet përkatëse në aeroport, të përmbaheni nga raportimet sensuale që mund të cenojnë dinjitetin apo të drejtat personale të udhëtarëve”, thuhet në njoftimin për medie, duke theksuar tutje se në rastet kur gazetarët kanë pëlqimin e të intervistuarit për ta xhiruar, publikimi i pamjeve që përfshijnë edhe individë të tjerë në lëvizje duhet të trajtohet me kujdes, kur këta mund të jenë në fokus të xhirimeve dhe publikimeve, pa pëlqimin e tyre.

“Agjencia u bën thirrje mediave të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe informimin e qytetarëve në përputhje me standardet ligjore dhe etike, duke mbetur në dispozicion për të ofruar mbështetje profesionale në zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka refuzuar t’u përgjigjet…