Ahmeti flet për negociatat me Limajn për zgjedhjet e 28 dhjetorit

02 dhjetor 2025 | 08:00

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, struktura e partisë ka diskutuar mundësitë e përbërjen e listës zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti tha se Këshilli i Përgjithshëm i ka dhënë kryetarit Lumir Abdixhiku autorizimin për të vazhduar negociatat me parti të tjera përfshirjen e emrave të mundshëm brenda listës së LDK-së.

Ahmeti la të kuptohet se sërish do të kenë negociata partia e tij me atë Nismës, për arritjen e ndonjë marrëveshje për pëtfshirjen e Ftamir Limajt në listën e LDK-së për deputet.

Ai nënvizoi se afati për koalicione parazgjedhore me parti të tjera ka përfunduar, prandaj LDK do të garojë e vetme, duke mbrojtur kështu siç tha ai qëndrimin e strukturave të saj politike dhe prioritetet e partisë.

“Natyrisht që ka pasur negociata, struktura është ajo që ka pasur impaktin më të madh në vendimmarrje. Tani për tani Këshilli i Përgjithshëm i dha autorizim prap kryetarit Abixhiku që të vazhdojë negocimin për hyrje brenda listës për deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të shkojë në garë pa koalicione, por brenda listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ketë edhe emra të tjerë. Natyrisht që KP i dha autorizim kryetarit që të vazhdojë negociatat, por koalicione nuk do të ketë, sepse ka mbaruar ai afat”, tha Ahmeti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Ky vendim i LDK-së vjen në një kohë kur partitë politike po finalizojnë listat për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor, ndërsa qytetarët presin të shohin ofertën elektorale të secilës parti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përballë ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë, Finlanda ka…