Ai, unë, biblioteka, provimet dhe disa të tjerë

24 nëntor 2021 | 16:38

Berat Armagedoni

Ligjëratat e vitit të tretë i kishte përfunduar, afati i provimeve të semestrit të dytë të vitit të tretë ishte shpallur, kurse atij i kishte mbetur pak kohë për t’i përgatitur të tetë provimet që i kishin mbetur pas atyre dyve që kishte dhënë në afatin e shkurtit me notë të lartë dhe të cilët dëshironte t’i paraqiste të gjithë. Ishte ambicioz i madh, por ishte punëtor i vogël. Më shumë bënte gjumë se punë; më shumë stresohej për një provim sesa për ndonjë fatkeqësi.

Sa herë që e takoja në korridorin e fakultetit pëshpëriste diçka vetë me vete e që s’kuptohej nëse përsëriste ndonjë fragment proze, ndonjë fragment të kritikës letrare, ndonjë pjesë të shënimeve që vetë kishte marrë gjatë ligjëratave të profesorëve ose që kishte lexuar përmendsh disa prej atyre skripteve të zajfta që gjendeshin në fotokopjen më të afërt të fakultetit e që kushtonin lirë dhe që u shërbenin studentëve për të lexuar sa më pak dhe për ta dhënë provimin sa më lehtë dhe me notë të lartë. E merrja me mend, duke e njohur karakterin e tij prej shumë kohësh, se këtë gjendje të shqetësimit ia kishte shkaktuar afati i provimeve që kishte shpallur fakulteti. Ishte përgatitur edhe më pak sesa që ishte përgatitur për dy provimet që kishte dhënë në prill.

Qershorit i kishin mbetur edhe shtatëmbëdhjetë ditë, kurse këtij i ishin shtuar thuajse shtatëmbëdhjetë ndjenja, të përziera dhe të rrepta! Provimin e parë e kishte me datë 19. Sipas tij, më të vështirin, ani pse ishte një lëndë gjysmësemestrale dhe, në vitin e tretë të studimeve, pas gjithë atyre njohurive që mund të kishte marrë gjatë tri vjetëve të studimeve, do ta jepte pa lexuar asnjë faqe për të. Në korridorin e katit të parë, aty ku kisha shkuar t’i merrja fletëparaqitjet e provimeve, erdhi edhe ai, me një çantë të madhe të zezë e cila, për shkak të peshës, e kishte kërrusur dhe dredhuar pak në anën e majtë. Po ta vështroje më mirë dhe kohë më të gjatë, ta sillte ndër mend ndonjë automjet me gomë të shpërthyer ose me amortizator të prishur. Ende pa kryer punë unë te referenti, duke më shtyrë me bërrylin e djathtë, pa mirësjellje, veç sa nuk e futi kokën brenda dritares së vogël të ngushtë e të shkurtër dhe i kërkoi shpejt e shpejt, si të ishte rafal i automatikut, tetë fletëparaqitje të provimeve. Referenti ia tërhoqi vërejtjen të presë radhën.

“E kam për ngut”, – i tha. “Shumë për ngut”, shtoi për herë të dytë pa më vënë re mua e as pa më kërkuar falje. S’i bëra zë. Po të donte referenti mund t’i kryente punë para meje sepse nuk kisha ndër mend të hatrohesha në asnjërin. Njeriu e kishte punën për ngutë, si gjithmonë, dhe duhej t’i kryente shërbim sa më parë. Por, ai e kreu detyrën sipas radhës që pritnim ne dhe, pasi unë dhe ai i morëm fletëparaqitjet, zumë vend në mesin e korridorit, aty ku ishte një tavolinë e gjatë, e gjerë dhe e lartë, në të cilën filluam t’i shënonim në fletëparaqitje emrin dhe mbiemrin e profesorit, emrin e lëndës dhe dy a tri shënime të tjera të shkurtra, por të nevojshme.

Shkruante ai, shkruaja unë. Shprehej ai “u kry edhe ky, pshurra n’ta!”, heshtja dhe dëgjoja unë. Pasi i mbushëm me shkrim dore fletëparaqitjet, shkuam para kabinës së referentit. Këtë herë në radhë duhet të prisja unë para tij. Kur kreu punë më ftoi për kafe. “A po vjen pimë kafe në ‘Edi 2’?” S’doja ta refuzoja prerë. Doja të pija kafe me të, ta vështroja e të interesohesha për gjendjen psikike të tij të ngarkuar, por s’doja të pija kafe në “Edi 2”, pasi që aty rrinin profesorët. “Të falemnderit, por duhet të kthehem në bibliotekë, se mund të ma marrin numrin e ulëses punonjëset e bibliotekës, se ka më shumë se gjysmë ore që jam këtu”. “A ka bufe aty?!”, – më pyeti. “Ka, ka”, – i thashë dhe, pa e ftuar, më erdhi pas. Derisa shkuam te biblioteka më tregoi për provimet që paraqiti.

Para se të hynim brenda saj, përskaj së cilës vargu i studentëve duke pritur ishte i gjatë, i bëra me dije se, po qe se punonjësit ta kërkojnë kartën e anëtarësisë, thuaju kam ardhur vetëm të pijë kafe në bibliotekë me këtë shokun. Ashtu si i thashë ashtu bëri. Ishte hera e parë që vizitonte bibliotekën dhe bufenë. Bufeja ishte mbushur përplot studentë dhe studente. Për një majë gjilpërë kishte vend, për ne dy jo. U befasua kur i pa. “Shih studentët në bufe! Këtu nuk lexon kush bre!” – e dha fjalën e fundit të parën pa u bërë vizitë sallave të leximit. “Lexojnë, lexojnë, por vijnë edhe të hanë, të pinë, të diskutojnë…” Ende pa i vënë pikë fjalisë foli ai: “Tybe s’lexon kush këtu. Veç vijnë me ba hajgare dhe me zanë najsen”. Çfarë t’i thosha këtij paragjykuesi.

Nuk doja të dëgjoja as prej këtij e as prej askujt tjetër fjalë të këqija për “shtëpinë time” dhe për ata anëtarë të familjes së saj. Nuk mendova gjatë dhe i thashë. “Paj, dikush vjen edhe me ba atë punë, ama këtu s’mund ta bëjë. Ky nuk është hotel. As banesë. As fushë, as mal, as livadh. Kjo është bibliotekë. Është Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Më e madhja në vend. Ata studentë dhe studente që ishin në bufe janë aty sepse nuk kanë gjetur vend të lirë të lexojnë në sallat e leximit që…” Sërish s’më la ta thosha fjalinë e plotë pasi më bëri këtë pyetje: “Ku janë ato salla?!” “Eja pas meje dhe mos bëj zhurmë, se të nxjerrin jashtë menjëherë”.

S’e çeli gojën derisa hymë në sallën e madhe. Kur e hapëm derën e gjithë salla ishte e mbushur me studentë. Asnjë frymëmarrje nuk dëgjohej. Asnjë zhurmë. Heshtjen e theu befasia e tij: “Kuku sa njeri!”  “Shshshshsh…” i tërhoqa vërejtjen dhe bëmë një shëtitje të shkurtër në gjithë sallën e madhe, pastaj në të voglën dhe u ngjitëm edhe në sallat e katit të dytë, pastaj edhe në sallat e katit të tretë në të cilat lexonin dhe studionin studentët e studimeve master dhe të doktoratës dhe ndonjë punonjës shkencor. Secila sallë ishte mbushur përplot studentë. Pasi i tregova për disa shërbime që ofronte biblioteka për studentë, e çova në amfiteatrin e saj të madh dhe në atë të voglin. Pas këtij “ekskursioni” nëpër bibliotekë shprehi interesim për anëtarësim. “Këtu po u kënaqka njeri bre! A muj m’u regjistru?!”

Entuziazmi i shihej në çehre, vendosmëria ende. “Po, veç a i ke dhjetë euro me vete dhe a e ke indeksin”. “Po, po, i kam” – dhe nisi t’i fusë duart në xhepa dhe në çantë për t’i nxjerrë paratë dhe indeksin. Sapo ia pashë në dorë, menjëherë e çova te Heta. Kështu quhej punonjësi që kryente shërbimin e regjistrimit të studentëve. Hymë bashkë me të. Pasi i bëri me dije se dëshironte të anëtarësohej, ia ofroi paratë dhe indeksin. Ai i bëri një fotografi dhe për pesë minuta ia shtypi kartën e anëtarësisë. Meqë kishte nevojë t’i tregoja edhe disa hollësi të tjera për punën në bibliotekë, e dërgova edhe tek informacioni. E njoftova se këtu mund t’i kërkosh librat që të duhen për lexim. Kur t’i sjellin nga depoja mund t’i lexosh vetëm brenda bibliotekës e jo t’i nxjerrësh jashtë. M’u duk se u lumturua. M’u duk se bëra një punë të mirë për një student që pjesën më të madhe të kohës e kalonte në kafene. U tungjatjetëm me të dhe u lëshua turr e vrap teposhtë shkallëve dhe doli jashtë bibliotekës. Atë që duhej t’ia thosha të parën, kisha harruar t’ia thosha. Të nesërmen erdhi në bibliotekë, por erdhi pasi dielli kishte prekur mesditën. Më kishte kërkuar nëpër sallat e leximit dhe, më në fund, më gjeti në ulësen 403. “Ku m’u ul unë?” – më pyeti.

Frymëmarrjen nuk e kishte të rregullt, sigurisht pasi ishte ngjitur shpejt në tridhjetë e tri shkallët e saj. “Ke ardhë vonë. Në bibliotekë duhet me ardhë herët. Po a ke marrë numër te hyrja?” “Jo, se nuk um dha kurrkush”. “Po a prite në radhë?” “Jo mor, se deri te Galeria e Arteve kish studentë tuj prit”. “Ata që presin marrin numër. Ata që s’presin, s’marrin”. “E çka me ba unë tash?” “Tash ti duhet me shku me prit në radhë atje te Galeria”. “Qysh…?!” Meqë i pengonim të tjerët derisa bisedonim dhe në ulësen përbri meje një studente kishte lënë librat e kishte shkuar ose në nevojtore, ose në bufe ose kishte dalë jashtë bibliotekës, i thashë ulu këtu derisa të vijë ajo dhe pastaj duhet t’ia lirosh vendin.

Tamam i nxori librat nga çanta dhe shtriu bythën në karrige, erdhi ajo. U çua si kërcell, mbushi krahun me libra dhe u ul në një ulëse tjetër që, gjithashtu, ishte e lirë. As aty nuk ndenji gjatë. As në të tjerat pastaj. Dikur shkova e ftova për kafe dhe në bufe i bëra me dije se nesër duhet të vijë në bibliotekë para orës shtatë, të pajiset me numër dhe ta bëjë bythën dhe karrigen prush nga qëndrimi i gjatë ulur! “Para shtatëve do të vij”, – më tha. Të nesërmen unë po prisja radhën pas tij. Kishte marrë numër nja pesëdhjetë ulëse para meje, po në sallën e madhe.

Sapo i lëshuam librat në tavolina, ia mësymë bufesë dhe bisedës. “Qi nanën ma ka pramë Gjergj Fishta!” “Jo bre çfarë!” “Pasha zote po, qi nanën ma ka!” E dija çfarë mendonte, pse shprehej ashtu, por doja të bëja shaka me të. “Ka vdekë Fishta moti. Është e pamundur të ndodhë kjo!” “Jo valla ish e mundur. Gjithë natën pramë, qi nanën ma ka!” Ai këmbëngulte, unë s’besoja, vetëm qeshja dhe dëgjoja argëtimin e tij të vazhdueshëm: “Inshallah s’ma qi nanën nesër edhe Sabri Hamiti ose asistenti i tij, se mut puna bahet!” “Shpresoj jo edhe Sabria, as asistenti i tij, se Fishta goxha kreshnik është” – e gërgitja pa ndal e ai të tilla fjalë fliste pa një pa dy. Edhe pse e dija se e kishte fjalën për lëndën Letërsi Moderne dhe për veprat e Fishtës, për lëndën dhe provimin që herë e mbante Sabri Hamiti e herë tjetër asistenti i tij, Kujtim Shala, bëhesha kokëgdhe, kishe s’kuptoja gjë. Më bëri me dije pastaj se nesër ka provim te Sabri Hamiti dhe s’do ta kalojë lehtë pasi për këtë provim ka nisur të mësojë shumë vonë dhe priste që, ndër autorët e tjerë, Hamiti ta pyeste edhe për veprat e Gjergj Fishtës.

Të nesërmen erdhi në bibliotekë pasi ishte paraqitur në provim. Sërish më kishte kërkuar nëpër sallat e leximit derisa më kishte gjetur. Kur më erdhi te ulësja, të parën fjalë ma tha: “A të thosha se ka me ma qi nanën edhe Sabri Hamiti”. E mora me mend se kishte rënë nga provimi. Isha kureshtar të dija, kush tjetër përpos tij. “Edhe ai asistenti i tij, Kujtimi, pasha robtë!” – më tha dhe u çova nga karrigia i zgërdhirë dhe, me barkun që më dridhej nga të qeshurat e gjata që desh mbeta pa frymë, dola në hollin e bibliotekës duke i thënë “e qitash qi nana t’u paska!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
25.11.2021 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Ferizaj 1.…