
Aida Birinxhiku, zëri i brezit të ri që po udhëheq socialdemokracinë suedeze
Shkruan: Astrit Gashi
Në një vend të ndërtuar mbi parime të barazisë, drejtësisë dhe përfaqësimit demokratik, një vajzë me rrënjë nga Kosova ngjitet në foltoren më të lartë të një prej partive më të mëdha në Evropë. Aida Birinxhiku, deputetja më e re e Parlamentit suedez, nuk është më thjesht një përfaqësuese politike por ajo është simbol i përmbushjes së një ëndrre që shumë shqiptarë e kanë bartur me vete gjatë dekadave të mërgimit.
Në Kongresin e 42-të të Partisë Socialdemokrate, Aida nuk ishte vetëm e pranishme. Ajo drejtoi punimet. Me dinjitet, qartësi dhe përkushtim. Përballë më shumë se 4000 mocioneve dhe mbi 10 000 propozimeve, ajo ishte aty jo vetëm si shqiptare, por si pjesë thelbësore e së ardhmes suedeze. Ishte një moment që s’kishte nevojë për shumë fjalë: vetë prania e saj ishte përgjigje për gjithçka.
Aida nuk përfaqëson vetëm një brez të ri të integruar por ajo është dëshmi se identiteti nuk është barrë, por pasuri. Se kujtesa e një populli të vuajtur, e një mërgate që u përball me sfida të pamëshirshme, mund të shndërrohet në forcë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë për të gjithë.
Së bashku me Arbër Gashin, një tjetër deputet aktiv me rrënjë nga Kosova, Aida po përmendet gjithnjë e më shpesh si një nga figurat që mund të mbajnë poste ministrore në qeverinë e ardhshme. Ata nuk janë aty rastësisht, ata janë produkt i përkushtimit, i dijes, i besimit që votuesit suedez kane dhene për Arbërin dhe Aiden.
Për ne shqiptarët, Aida nuk është vetëm krenari ajo është pengu që po shpërblehet me drejtësi, ëndrra që po merr formë, fjala që dikur s’na e lanin ta thoshim, e që tani e dëgjojmë në një gjuhë tjetër, por me të njëjtin shpirt. Ajo është përfaqësim i dinjitetshëm i një populli që nuk ka kërkuar mëshirë, por mundësi për të kontribuar.
Në fytyrën dhe zërin e Aidës, fëmijët tanë do të shohin një model. Në suksesin e saj, do të kuptojnë se asgjë nuk është e pamundur kur përfaqësimi bëhet me zemër, me mendje të hapur dhe me rrënjë të forta.
Sot, Suedia është më e bukur, sepse në mozaikun e saj politik ka edhe një ngjyrë shqiptare që ndriçon me dinjitet.