AKB-ja kundër detyrimit të kompanive që të furnizohen nga tregu i hapur i energjisë deri pesëfish më shtrenjtë se nga KEK-u

12 maj 2025 | 14:26

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që detyron bizneset me mbi 50 punëtorë dhe me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor të furnizohen nga tregu i hapur i energjisë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në konferencë për medie, ka thënë se janë kundër detyrimit të kompanive që të furnizohen nga tregu i hapur i energjisë deri pesëfish më shtrenjtë sesa nga KEK-u.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh shqetësimin e vet të thellë në lidhje me vendimin e fundit të ZRrE-së, i cila drejtpërdrejt i ngarkon bizneset tona me tarifa të ndryshme. Problem thelbësor është që vendimi i ZRrE-së do të sjellë pasoja. Rritja e çmimit të energjisë elektrike 16.1 për qind është një rritje e madhe. Detyrimi i kompanive mbi 50 punëtorë dhe mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor që të furnizohet nga tregu i hapur i energjisë elektrike do të jetë me çmim tre deri në pesë herë më të shtrenjtë sesa këto biznese mund ta blejnë nga KEK-u. Kjo situatë është e papranueshme, sepse cenon konkurrencën, rrit ndjeshëm koston për biznese, krijon pabarazi dhe diskriminim ekonomik. Kërkesa jonë është rishikimi i menjëhershëm i vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve nga tregu aktual në tregun e hapur dhe sipas nesh kjo është e padrejtë”, ka thënë Shahini.

Edhe përfaqësuesja e kompanisë “Eurometal”, ka kërkuar pezullim të menjëhershëm të vendimit për treg të hapur të energjisë , duke e cilësuar si të gabuar dhe të dëmshëm për prodhuesit.“

Ndërsa biznesmeni Naim Dedushaj nga Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare, ka kërkuar që të merren parasysh ndryshimet globale dhe të ndihmohen bizneset për të mbetur konkurrentë. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha u ka bërë…