Aksion i gjerë policor në Kaçanik, bastisje nën dyshimet për lidhje me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

21 prill 2025 | 09:25

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh herët në mëngjesin e sotëm në qytetin e Kaçanikut, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kanë vendosur pika kontrolli në çdo cep të qytetit, duke krijuar një rreth të plotë sigurie gjatë bastisjeve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmoi zyrtarisht se operacioni i sotëm është i ndërlidhur me rastin e vrasjes së rreshterit Lika.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, deklaroi Kelani.

Hetuesit për krime të rënda po vazhdojnë punën në terren, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se të dhëna shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.

Muhamed Lika u vra para më 1 prill në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’, rreth orës 23:00.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, kishte bërë të ditur se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.

Motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta, ndërsa organet e rendit dhe drejtësisë janë duke punuar për zbardhjen e plotë të këtij krimi të rëndë, raporton Telegrafi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Abelard Tahiri, deputet i PDK-së, ka thënë se VV-ja nuk…