Aktakuzë ndaj një personi për dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe policisë në veri

30 korrik 2025 | 16:38

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj M.A, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan.

Sipas njoftimit, M.A dyshohet për katër vepra penale: sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale huliganizëm, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge dhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Aktakuza thotë se më 29 maj, i akuzuari nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes kishte qenë në perimetrin ku gjendet objekti i komunës së Zveçanit dhe kishte sulmuar dhe kanosur “disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri”.

Prokuroria tha se pavarësisht urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për shpërndarje të turmës, M.A dhe të pandehur të tjerë kishin nisur të ushtronin “dhunë të pakontrolluar”.

“Si pasojë e këtyre veprimeve, të cilat M.A, sipas aktakuzës, i ka kryer në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore te disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe dëme të mëdha materiale në automjete zyrtare dhe të gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila i ka kërkuar gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet paraburgimin deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime– disa edhe serioze – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

Deri më tani, autoritetet e Kosovës kanë ngritur disa aktakuza ndaj personave të përfshirë në dhunën në Zveçan.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Desire Doue, sulmuesi i ri i Paris Saint-Germain, ka ndezur…