Aktakuzë ndaj personit që vazhdoi punimet në vila në Orllan përkundër vendimit të inspektorëve

06 tetor 2022 | 11:42

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Y.I., në drejtim të veprave penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.I., gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021 në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës, pa sigurimin e lejes ndërtimore nga organi kompetent dhe në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit për ndërtimin, ka ndërtuar katër vila për banim, në pronën e tij, në atë mënyrë që përkundër vendimit për ndërprerjen e punimeve dhe gjobës së shqiptuar nga inspektorët e Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës, i njëjti ka vazhduar punën duke finalizuar ndërtimet e vilave.

Gjithashtu, më 5 korrik të vitit 2021, në vendin e lartcekur, i pandehuri nuk i ka përfillur vendimet e inspektorëve të Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës, në atë mënyrë që i njëjti ka hequr shiritat e vendosur nga organi i lartcekur për ndalimin e punimeve, duke kryer kështu veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prishtinë, 6 tetor  2022 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Y.I.,  në drejtim të veprave penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.I., gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës, pa sigurimin e lejes ndërtimore nga organi kompetent dhe në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit për Ndërtimin, ka ndërtuar katër vila për banim, në pronën e tij, në atë mënyrë që përkundër njoftimit dhe procesverbaleve të datës 29.06.2021, vendimit për ndërprerjen e punimeve Nr.316/21 të dt. 05.07.2021, si dhe gjobës së shqiptuar nga inspektorët e Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës, i njëjti ka vazhduar dhe finalizuar ndërtimet e vilave duke mos respektuar vendimet dhe procedurat e zhvilluara nga institucioni kompetent për ndalimin e ndërtimit të objekteve të lartcekura, çka me këtë e ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”, nga neni 359 par. 3 lidhur me par 2 të KPRK-së.

Po ashtu, më 05.07.2021, në vendin e lartcekur, i pandehuri nuk i ka përfillur vendimet e inspektorëve të Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit të Komunës së Podujevës, në atë mënyrë që i njëjti i ka hequr shiritat e vendosur nga organi i lartcekur për ndalimin e punimeve, ku me këtë e ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, nga neni 406 i KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe i ka propozuar gjykatës të urdhërojë organet kompetente të Komunës së Podujevës që në kuadër të legjislacionit në fuqi të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e aktvendimit për rrënimin e objekteve, të lëshuar nga Drejtoria e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës.​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, së bashku…