Aktet normative të Ramës, si ato të Hitlerit me Kushtetutën e Weimarit

05 prill 2020 | 11:15

Prof. Klodi Stralla

Adolf Hitleri u betua si Kancelar i Gjermanisë në janar të vitit 1933 dhe, për të qeverisur, i duhej ta zbatonte Kushtetutën që kish votuar populli gjerman fill pas Luftës të Parë Botërore (1919). Ajo ishte një kushtetutë republikane dhe demokratike, e hartuar nga sociologu i madh gjerman Maks Weber, që binte ndesh me llojin e qeverimit që parapëlqenin nazistet – atë të thjeshtimit dhe anashkalimit të procedurave demokratike, duke filluar nga anashkalimi i Kuvendit, Presidentit, Gjykatës Kushtetuese, Bankës Qendrore dhe institucioneve të pavarura, që përbëjnë thelbin e një shteti demokratik, me ndarje dhe balancim pushtetesh. Hitleri jo vetëm s’ishte mësuar me këtë mënyrë qeverimi por, në thelb, e urrente atë.

Si t’ia bënte?

Artifica u gjend brenda Kushtetutës ekzistuese, nenit 48 të saj, sipas të cilit, në raste të veçanta emergjence (sipas vlerësimit të Hitlerit), edhe kur parlamenti ishte i mbledhur, mund të operohej me Akte normative, faktikisht urdhra të vet Fyrerit. Fillimisht, kjo u justifikua me luftën ndaj komunistëve dhe çifutëve (djegia e Rajshtagut), dhe populli e brohoriste, por shumë shpejt Akti normativ u bë praktikë e zakonshme pune dhe parlamenti gjerman i ngjante më shumë një fosili që të kujtonte një kohë të largët, kur ai bënte ligje me oponecë opozitare. Nuk vonoi shumë dhe Hitleri i bashkoi nën një person të vetëm pushtetin e Kancelarit me atë të Presidentit, ndarje që i quante borgjeze dhe u shpall ‘Fyhrer’- i gjithëpushtetshëm – ku ushtria, gjykatat dhe institucionet e vendit betoheshin për besnikëri, personalisht ndaj tij. Ky ishte “Fyhrer princip”, parimi sipas të cilit funksionoi shteti gjerman nga viti 1934-1945. Pasojat e kësaj mënyre qeverimi të pakontrolluar tashmë dihen: mbi 10 milionë gjermanë të vrarë, ekonomia në vitin zero, pasoja që u deshën vite të riparoheshin.

Këtë praktikë pune po ndjek edhe kryeministri ynë, i justifikuar fatkeqësisht, fillimisht nga tërmeti dhe tani edhe nga pandemia e virusit që, shumë shpejt, pasi ato të kalojnë, kam bindjen se do të mbeten praktikë pune me të cilën shqiptarët do të mësohen dhe nuk do të reagojnë.

Si jurist dhe njohës modest i funksionimit të shtetet, e shoh me shumë shqetësim përdorimin e Aktit normativ nga E. Rama, aq më keq kur ai u njoftohet shqiptarëve nga bunkeri, në Surrel, të cilit, tërmeti dhe pandemia, sikur i kanë rënë prej qielli për ta realizuar ambicien e tij, egoiste e perverse, të fshehur ndër vite në nënvetëdijen e tij – atë të nënshtrimit të të tjerëve përmes pushtetit dhe kënaqësisë që të jep ai. Diktaturat gjithmonë lindin në kohë krizash, si justifikim për t’i zgjidhur ato, por pasi instalohen qëndrojnë gjatë sepse bëhet shumë e vështirë t’i shkulësh. Ne shqiptarët e kemi provuar atë për një gjysmë shekulli. E po ndodhi kjo, më mirë të largohemi sa më parë nga ky vend; në të kundërt duhet luftuar që sot, pavarësisht justifikimit me gjendjen e jashtëzakonshme.

P. s.:

Statusi mori shkas nga Akti normativ i qeverisë ndaj qiradhënësve, të cilët jo vetëm nuk kanë të drejtë t’u kërkojnë qiranë qiramarrësve të tyre por, nëse e bëjnë, do të ndëshkohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajzat gjithmonë janë të mirat e shtëpisë, e hareja e…