Aktivitetet politike të ilegales pas demonstratave (7)

29 shtator 2021 | 11:32

Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë / “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës” 

Prof. ma. Adem Ademi

Ҫdo qytetar i Kosovës i cili ka përjetuar ndërhyrjen agresive të forcave policore-ushtarake jugosllave ndaj studentëve dhe qytetarëve shqiptarë në ditët e demonstratave më 1, 2 dhe 3 prill në qytetet e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt dhe në Vushtrri, nuk ka mundur të besojë se do të ketë më organizim të aktivitetit politik propagandistik e aq më pak ka mundur të marrë me mend se do të ketë përpjekje apo organizim për demonstratë të tjera në Kosovë.
Pas ndërprerjes së dhunshme të demonstratave masive, shteti totalitar në fazën tjetër zbaton ofensivën politike për realizimin e masave politike të përgatitura nga kuzhina politike e Beogradit. Ofensiva shtohej për çdo ditë ndaj shqiptarëve dhe realizohej në tri fronte. Në “Luftimin e aktiviteteve të mëtejshme të irredentës: diferencimin ideopolitik: ndërmarrjen e masave konkrete e represive ndaj të gjithë organizatorëve të demonstratave dhe bartësve të aktiviteteve ilegale”. Ofensiva politike shtetit kishte statistikat e saj. Në Kryesi u konstatua se organet e punëve të brendshme me qëllim të zhdukin aktivitetin armiqësor dhe të pengojnë përhapjen e mëtejme të aksioneve armiqësore me rastin e demonstratave prej 11 marsi deri më 10 prill kanë marrë një varg masash parambrojtëse për 1 500 veta.
Pas 3 prillit 1981, kundër ofensiva e ilegales shqiptare me aksionet e saj politike shtrihej anembanë trojeve shqiptare me aktivitete politike dhe propagandistike në shpërndarjen e parullave, afisheve, në bartjen e simboleve kombëtare, në organizimit të demonstratave me përmasa të ndryshme.“Ata vazhduan aktivitetin e tyre politik dhe propagandistik nëpër qytete dhe vendbanime të ndryshme.
Numri i shkrimeve të parullave nëpër komuna për nga numri ishte i ndryshëm, ato dallonin nga vendi në një vend tjetër. “Në rrethinën e Podujevës në natën 1-2-8 janë gjetur 16 shpallje armiqësore, parulla dhe pamflete. Në Ferizaj janë gjetur 24 pamflete. Po ashtu në Suharekë, Deçan, Gjilan e tjera komuna. Parullat janë shkruar nëpër mure të oborreve, nëpër mure të shtëpive, nëpër dyer të oborreve,në muret e shkollave, muret e fabrikave dhe nëpër rrugët nacionale e në tjera objekte.
Materialet propagandistike kishin edhe nënshkrimet e grupeve ilegale shqiptare që vepronin dhe shpërndanin materialet si: në Podujevë “Shoqëria llapjane e hakmarrjes”, “Komiteti i malësorëve për çlirim të Kosovës”, “Zëri i atdheut” në Ferizaj e tjera grupe ilegale nëpër komuna.
Përmbajtja e parullave të shkruar më së shumti kishin përmbajtjet si: “Kosova Republikë”, “Rroftë Republika e Kosovës”, “Republikë ose vdekje”, “Rroftë rinia studentore”, nuk pajtohemi pa republikë, të gjithë do ta japim jetën, nuk do ta harrojmë padrejtësinë që ju ka bërë popullit shqiptar, për ty Kosovë kemi derdhur shumë gjak dhe deri në vdekje do derdhim gjak dhe nuk duam të jetojmë me ju, do ta mbrojmë edhe me armë të tjera, kriminel mos i dënoni njerëzit e pafajshëm, kërkojmë të drejtat tona, e të tjera. Ilegalja dërgoi në adresë të komunave programin dhe qëllimet politike të tyre. “Në adresë të Kuvendit Komunal të Ferizajt, Dragashit, dhe Vitisë ka arritur pamfleti me përmbajtje armiqësore me nënshkrim të Partisë Marksiste Leniniste të shqiptarëve të Jugosllavisë. Në pamflet sqarohet programi dhe qëllimi i “kësaj” partie.
Ky realitet i aksioneve të ilegales në terren raportohej në mbledhjet e KK të Kosovës.“Së pari, menjëherë duhet të them se gjatë gjithë kësaj periudhe pas ngjarjeve kundër evolucionare, shërbimi është përballur me aktivitetin armikut nga pozicionet e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Në kryesi u vu në dukje domosdoshmëria e zhvillimit të mëtejshëm të aksionit kundër veprimit të armikut, në zbulimin e organizatorëve të tij.
Gjatë muajit prill dhe maj, kur po zbatohej ora policore, gjendja e jashtëzakonshme nga rinia shqiptare u organizuan demonstrata në disa qytete si në: Prishtinë, Istog dhe Kaçanik, tentuan të organizojnë demonstrate në Malishevë, Gjilan, Suharekë, Lipjan, Rahovec, Viti, e Deçan.
Rinia studentore ishte shumë aktive nëpër qytete të Kosovës në bartjen e simboleve kombëtare, sidomos rina prishtinase gjatë shëtitjes së lirë në korzë. Rinia e shkollave të mesme, medresistët dhe studentët e Prishtinës dilnin në korzë për shëtitje duke bartur plisin e bardh, shallin kuq e zi, fanella sportive kuq e zi e simbole tjera kombëtare.
Pushteti i dhunshëm herë pas here publikonte statistikat e burgosjes së rinisë kosovare duke e vlerësuar si sukses të madh punën e organeve të brendshme. Statistikat e publikuara për numrin e shqiptarëve të burgosur dhe të dënuarve me dënime drakonike kishin për qëllim të shtonin presionin psikik te rinia dhe lëvizja për republikën e Kosovës që të hiqnin dorë nga aktiviteti politik propagandistik dhe nga kërkesat e tyre politike.
Burgosjet e shumta të anëtarëve të lëvizjes për republikën e Kosovës, shpeshherë rrezikonte shuarjen e një grupi apo organizate ilegale. Por, menjëherë organizoheshin grupe të tjera nëpër vende të tjera. Lëvizja vazhdonte të shtrihej dhe vepronte me aktivitetin e saj politik propagandistik. Shërbimi ka zbuluar shumë grupe dhe mbi 100 persona të cilët kanë shkruar parulla armiqësore, aksione armiqësore të shkrimeve të parullave dhe shpërndarjen e afisheve me përmbajtje armiqësore nga pozicioni i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar është në rritje.
Dokumentet nga proceset gjyqësore tregojnë se shumica prej tyre nuk janë penduar fare për veprimet e tyre politike dhe janë shprehur në prani të gjykatësit dhe të pranishmëve se Kosova duhet ta ketë dhe meriton statusin e Republikës. Ata ishin prezent dhe shumë aktiv në proceset e më vonshme politike deri në çlirimin e Kosovës.

(Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver…