Akuzoi ShBA-në, glorifikoi terroristët, shfajësimi i Vuçiqit në CNN

03 tetor 2023 | 08:15

Pasi akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës së gënjyen mbi raportet e fundit që tregonin prani të shtuar ushtarake të forcave serbe pranë veriut të Kosovës, Aleksandër Vuçiqi ndryshoi tërësisht qasje mbrëmjen e kësaj të hënë duke thenë se ky raport i Uashingtonit thjesht  nuk ishte plotësisht i saktë.

Në një intervistë për median amerikane CNN, me gazetaren Christiane Amanpour, presidenti i Serbisë deklaroi se Beogradi s’e ka reduktuar me më shumë se 2/3 praninë ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

“Ne i kemi vlerësuar gjithmonë raportet që vijnë nga Shtëpia e Bardhë, Shtetet e Bashkuara dhe institucionet e tjera amerikane. Problemi është se këto raporte nuk  ishin plotësisht të sakta.

Një vit më parë kishim 14 mijë trupa ushtarakë pranë kufirit me Kosovën, disa ditë më parë kjo shifër ishte 8400, ndërsa sot janë 4 400 trupa ushtarësh”, tha Vuçiqi.

Megjithate, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Miller, nuk e konfirmoi largimin e trupave ushtarake serbe nga veriu i Kosovës në konferencën e tij të përditshme për shtyp këtë të hënë, ku tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë prova se diçka e tillë ka ndodhur.

Në intervistën e tij për CNN, Vuçiqi u pyet se a u mor vendimi për ta larguar ushtrinë pranë kufirit si një përpjekje për ta shmangur vëmendjen, pasi Milan Radojçiçi pranoi përfshirjen e tij në sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës.

Ndërsa tha se Radojiçiqi do të përgjigjet përpara drejtësisë, presidenti serb zgjodhi ta shmangte pyetjen duke thënë se ai do vetëm një prani të shtuar të KFOR-it në veri.

Gazetarja e CNN zgjodhi t’i rikthehet një deklarate të presidentit serb, i cili përgjatë muajit mars kishte thënë se nuk e firmosi Marrëveshjen e Ohrit pasi kishte dhimbje në dorën e djathtë, pyetje së cilës Aleksandër Vuçiq zgjodhi sërish duke ironizuar Christiane Amanpour duke akuzuar Prishtinën.

“Unë e vlerësoj qasjen tuaj objektive dhe të paanshme. Ndoshta ju nuk e keni ndjekur atë që Bashkimi Evropian tha pas përfundimit të takimit tonë të fundit. Serbia ishte plotësisht konstruktive. Këtë e thanë edhe Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Ne jemi të gatshëm të negociojmë, por Bashkimi Evropian e di se Kosova nuk është e gatshme ta vazhdojë punën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.”

Pasi zgjodhi të fshihej pas perdes së Brukselit, gazetarja e CNN i rikujtoi presidentit serb prioritetin e  tij për anëtarësim të Beogradit në Bashkimin Evropian, duke i thënë se mënyra e vetme për ta arritur këtë gjë është tryeza e dialogut.

Kur u pyet për rolin e tij destabilizues në Bosnjë-Hercegovinë dhe faktin se ai bën deklarata të kundërta përballë kombit dhe përballë aleatëve ndërkombëtarë, Vuçiqi u irritua dhe akuzoi gazetaren se po bën deklarata që nuk po dalin nga goja e tij.

“Pra ju nuk e mbështetni Milorad Dodikun dhe lëvizjet e tij destabilizuese. Epo në rregull, isha e lumtur ta dëgjoja këtë”.

“Mos vendosni në gojën time fjalë që nuk i kam thënë. Thjesht po thosha se mbështes marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në selinë e Parlamentit Evropian sot do zhvillohet debat i…