Alarmi për bombë në një ndërtesë në Prishtinë, policia: Nuk u gjet asgjë
Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes ka shkaktuar panik mbrëmë në lagjen Pejton të Prishtinës, duke detyruar evakuimin e banorëve dhe ndërmarrjen e masave të sigurisë nga policia.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 23:00 është pranuar njoftim për një automjet të dyshimtë në këtë zonë.
Njësitë policore, përfshirë specialistët për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë kryer kontrollin e nevojshëm.
Pas inspektimit të detajuar, është konfirmuar se nuk kishte mjet shpërthyes.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë për kryeqytetin, Enis Pllana.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën për një mjet të dyshuar në lagjen Pejton në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se nuk ka pasur mjet të dyshuar shpërthyes”, tha Pllana.
Gjatë operacionit, policia ka bllokuar rrugët hyrëse dhe dalëse të zonës për të garantuar sigurinë e banorëve, derisa ekipet specialiste vepronin.
Rasti po hetohet, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbeten të qetë.



