Albin Kurti: Albulena është mbesa e Ahmet Haxhiut, bashkëpuntor i Demaçit, kishte ndihmuar UÇK-në

10 maj 2025 | 15:19

Albin Kurti, po vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës, ndonëse kjo e fundit ka dështuar 13 herë radhazi që të marrë vota te mjaftueshme për të drejtuar organin më të lartë legjislativ të Republikës.

Sugjerimet për ndërrim të kandidates dhe propozimet që janë dhënë nga partitë tjera, Kurti ka thënë se ato s’mund t’ia zgjedhin LVV-së kryetarin e Kuvendit dhe se emri i Vetëvendosjes është Albulena Haxhiu.

Kurti këtë fjali e ka vazhduar duke treguar se Albulena Haxhiu është mbesa e Ahmet Haxhiut, që sipas Kurtit ka qenë bashkëpunëtor i Adem Demaçit dhe që kishte dërguar armë në Drenicë e kishte përkrahur UÇK-në.

“Partitë nuk duhet t’ia zgjedhin njëri-tjetrit propozimet e kandidatët, andaj Albulena Haxhiu është emri i VETËVENDOSJE!-s për kryetaren e Kuvendit të Republikës. Por, fare shkurtimisht do kisha dashur të tregoj prej nga vjen njohja ime me Albulenën. Gjyshi i Albulenës, Ahmet Haxhiu, ishte një nga veprimtarët e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH) dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Adem Demaçit, bacës Adem. Në vitin 1991, ai dërgonte armë në Drenicë, duke mbështetur kështu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1993, ai u arrestua nga Serbia dhe, pas torturave të rënda, vdiq më 6 korrik të vitit 1994. Mbesa e tij, Albulena është deputetja më e votuar e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2021, e tash në 2025, është deputetja më e votuar e legjislaturës së nëntë me mbi 125 mijë vota. E në seancën konstituive Albulena tash për tash i ka 57 vota, 48 të VETËVENDOSJE!-s dhe 9 të pakicave e ku bëjnë pjesë: dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptianë, një serb, një rom dhe një ashkali. Pra, Albulena ka mbështetjen edhe të komuniteteve tjera”, ka thënë Kurti në mbledhjen e sotme të partisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy më meritorët që Bayer Leverkusen arriti të shpallet Kampion…